E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, shqiptarët padi Italisë

 

Familjarët e Arjan Demçollit, njërit prej tre personave që u vranë në masakrën e ndodhur në gjykatën e Rexhio Emilias në Itali në 17 tetor të vitit 2007, i kërkojnë dëmshpërblim financiar shtetit italian. Një milionë e 750 mijë euro është shifra që ata pretendojnë të marrin nga shteti italian si dëmshpërblim për humbjen e jetës së familjarit të tyre nga një armë zjarri brenda ambienteve të gjykatës. Në bankën e të akuzuarve në gjykatën civile të Bolonjës, ata do të çojnë Ministrinë italiane të Drejtësisë. Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja, tre fëmijët dhe vëllai i Demçollit. "Ne pretendojmë që masakra ndodhi edhe për faj të ministrisë, pasi vrasësi arriti të futej pa problem i armatosur me pistoletë në gjykatën e Rexhios. Dhe siç dihet, gjykata varet nga Ministria e Drejtësisë", citonin mediat italiane Karmelo Kataliotin, avokatin e familjarëve të Demçollit. Sipas avokatit, ngjarja i ka shkaktuar familjes një goditje psikologjike, që do t'i shoqërojë ata gjatë gjithë jetës. 
Ndërsa Florentina Demçolli ka pohuar se pas ngjarjes, përveç njerëzve të afërt të familjes, miqve të saj dhe banorëve të lagjes ku jeton, askush tjetër është kujtuar më për ta. Në përvjetorin e parë të vdekjes së bashkëshortit ajo ka vendosur një buqetë me lule në sallën nr. 6 të gjykatës. "Kur u prezantuam në gjykatë, askush nuk na u afrua dhe ne ishim të detyruar të përjetonim edhe njëherë dhimbjen e pamat në një vetmi totale", është shprehur ajo. Bëhet e ditur se procesi është parashikuar për në muajin mars.
TRAGJEDIA
Ngjarja e 17 tetorit 2007 në gjykatën e Rexhio Emilias, që përfundoi me tre të vdekur dhe katër të plagosur, tronditi mbarë opinionin publik në shtetin e Apenineve. Gjithçka ndodhi rreth orës 11:00 të kësaj dite, pak para se të fillonte një seancë divorci mes dy shqiptarësh. Çlirim Fejzo sapo sheh bashkëshorten e tij Vjollca Fejzo në gjykatë, fillon të qëllojë drejt saj me një pistoletë gjysmautomatike. Për ta ndaluar ndërhyn vëllai i Vjollcës, Arjan Demcolli, por mbetet i vrarë nga breshëria e plumbave. Pas kaosit të krijuar në ambientet e brendshme të gjykatës, Fejzo qëllohet për vdekje nga dy karabinierë. Nga hapja e zjarrit u plagosën edhe 4 vetë, mes të cilëve një karabinier, si dhe avokatja e Vjollca Fejzos, Xhovana Fava.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›