tali, bie në pranga shqiptari i kërkuar për vrasjen e Lerdi Gokajt
ITALI - Arrestohet në Prato 31-vjeçari shqiptar i dënuar në mungesë për bashkëpunim në vrasjen e një bashkëkombësi në vitin 2005. Sipas policisë italiane, dje mori fund arratia e Elton Salajt, i shpallur fajtor si bashkëpunëtor në vrasjen e Lerdi Gokajt. Edhe pse pas ngjarjes ai qëndronte në arrest shtëpie, ai është arratisur një ditë përpara se një vendim gjykate do ta kthente atë sërish në burg. Dënimi ndaj 31-vjeçarit ishte dhënë në maj të vitit 2006 nga Gjykata e Firences, si bashkëpunëtor në vrasjen e Lerdi Gokajt në vitin 2005. Salaj u prangos nga agjentët e kuesturës së Pratos, teksa ishte duke udhëtuar në një automjet tip "Saab" së bashku me dy persona të tjerë. Mësohet se 31-vjeçari Salaj u ka treguar atyre një patentë të falsifikuar ku ai figuronte me kombësi rumune. Por, vëzhgimi i kujdesshëm i dokumentit përmes rrezeve ultravjollcë, ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish në lejen e tij të drejtimit të automjetit. Aty janë vënë re mungesa të theksuara të hologramëve dhe elementëve të sigurisë. Pas këtij konstatimi të tre personat janë shoqëruar në zyrat e Kuesturës së Pratos. Verifikimet e mëtejshme bazuar edhe në të dhënat e zotëruara nga policia është konstatuar se ndaj L.V., 36 vjeç ekzistonte një urdhër përjashtimi nga Italia, e vënë nga forcat e rendit të Pistoias në 14 shtator të vitit 2006. Në këtë mënyrë atij i është komunikuar arresti. Ndërsa personi i prezantuar si shtetas rumun, ka rezultuar se ishte Elton Salaj, lindur në Shqipëri në 1978, në Itali i parregullt dhe pa vendbanim të qëndrueshëm, i shpallur në kërkim nga një vendim i gjykatës së Firences më 18 prill të vitit 2008. Gjithashtu, i dënuar me 15 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e Lerdi Gokajt. Bëhet e ditur se ngjarja ku ka mbetur i vrarë Gokaj ka ndodhur në rrugën "Belvedere" të Mangine Kopertos natën e 22 prillit 2005. Gokaj ishte konfliktuar me Edmund Dishën, person në arrati, që i kishte qëlluar me armë zjarri pas një grindjeje për motive të dobëta në një lokal nate. Pas grindjes Disha është shoqëruar nga Salaj në banesën e tij në Montemurlo. Rreth një orë më pas, Disha i afrohet 25-vjeçarit Gokaj në një kryqëzim pranë vendit të grindjes dhe e qëllon nga afër duke e vrarë. ar.ba