Vrasja te Dogana, policia: Shpërblim informatorit
TIRANË (UPDATE)- Shpërblim për informatorin rreth vrasjes së djeshme pranë Doganës në Tiranë, ku një person gjeti vdekje i qëlluar me armë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Policia gjatë një komunikimi me mediat ka njoftuar se ofron shpërblim në vlerë monetare për atë që do ë japë informacione rreth vrasësve.
"500 mijë lekë është shuma që do t'u jepet informatorëve për vrasjen e Artan Allushit, dje pranë Drejtorisë së Doganave, pas një konflikti verbal mes viktimës, dy të lënduarve dhe një grupi tjetër personash"- thanë burimet policore, duke shtuar se i dyshuari kryesor identifikuar si autor i krimit është shtetasi 38-vjeçar, Bashkim Qefalia.
Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit 04 11 10 21 për gjithë ata që kanë të dhëna.
Vrasja te Dogana, autori kërkonte nuse te viktimat
TIRANË (UPDATE) -Vrasja e ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12:30, pranë doganës së kryeqytetit, mësohet se ka pasur shkak një konflikt për një femër mes autorëve dhe të dëmtuarve. Ky fakt konfirmohet për gazetën "Shekulli", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët iu referohen palëve të dëmtuara në ngjarjen e djeshme, ku mbeti i vdekur Artan Allushi 27 vjeç, si dhe u plagosën dy të tjerë të afërm të tij, Kujtim Allushi 50 vjeç dhe Nertil Allushi, 22 vjeç, banues në Zall- Herr. Si autorë të krimit, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim Bashkim Qefalinë, rreth 27 vjeç, si dhe dy persona të tjerë emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.
Nga të shtënat me armë mbetën të plagosur në gjendje të rëndë dhe Kujtim Allushi, 50 vjeç dhe djali i tij Nertil Allushi 22 vjeç, banues në komunën Zall -Herr, të dy të afërm të viktimës. Ndërkohë bëhet e ditur se Policia e kryeqytetit ka shpallur në kërkim dhe dy personat e tjerë që ishin në një furgon bashkë me Qefalinë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur nga uniformat blu për shkak të hetimit të ngjarjes.
Më parë autori dhe bashkëpunëtorët e tij, ishin konfliktuar me të dëmtuarit të cilët ishin qëlluar mes tyre me sende të forta, një binar druri që më shumë i ngjante një shkopi bejzbolli.
Krimi i djeshëm mësohet se e ka zanafillën nga një grindje e mëparshme mes palëve, për shkak se Qefalia, kishte ngacmuar herë pas here vajzën e Kujtim Allushit. Madje sipas pretendimeve të autorit tek Allushët, ai kërkonte ta merrrte për grua vajzën. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga Allushët, të cilët i kanë vlerësuar si provokuese veprimet e Qefalisë. Ndërkaq dje sipas burimeve, autori ka ndjekur me një furgon të dëmtuarit të cilët udhëtonin me një automjet të markës "Mercedez- Benz", me targa të huaja. Ata kanë ndaluar pranë rrotullimit të doganës, ku janë konfrontuar fizikisht mes tyre. Nuk kanë mbetur pa u përdorur sendet e forta mes palëve, ndërsa në konflikt e sipër Qefalia ka nxjerrë një pistoletë me të cilën ka qëlluar ndaj Allushit, duke e plagosur rëndë atë, ndërsa rrugës për në spital ai ka ndërruar jetë.
Autori bashkë me mjetin e tij dhe dy personat që e shoqëronin, janë largua në drejtim të Babrrusë, dhe pranë ish- Uzinës Dinamo, ka braktisur mjetin. Nga të shtënat me armë zjarri Allushi mori disa plagë të rënda, dhe gjatë transportimit për në spitalin ushtarak ndërroi jetë. Mësohet se dy të plagosurit e konfliktit që përfundoi me përdorimin e armës, ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spital, ku gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të jetë e rëndë. Pak minuta pasi policia njoftohet për atë çfarë kishte ndodhur, menjëherë mbërrijnë në vendin e ngjarjes efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 3 si dhe ekspertë të zyrës së vrasjes në Policinë e kryeqytetit. Uniformat blu pas bllokimit të vendit të ngjarjes, mblodhën të gjithë provat dhe dëshmitë për të zbardhur ngjarjen e rëndë me pasojë një të vdekur dhe dy të plagosur. Pas veprimeve hetimore, policia ka identifikuar autorët dhe ka shpallur në kërkim Bashkim Qefalinë dhe dy persona.