E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen motivet e vrasjes së 25-vjeçarit, 500 mijë lekë për informacionet mbi autorin

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e mesditës së djeshme ku në afërsi të Doganës së Tiranës, gjeti vdekjen një 25-vjeçar si dhe u plagosën vëllai dhe xhaxhai i tij. Sipas policisë shkak ka qenë konflikti i momentit mes dy vëllezërve Allushi dhe xhaxhait të tyre Kujtim Allushi me agresorin Bashkim Qefalia 38 vjeç. Nga të dhënat paraprake 50-vjeçari Kujtim Allushi akuzonte Qefalinë për ngacmime ndaj vajzës së tij. Pasi e kanë ndaluar autorin për sqarime, debati i nisur është kthyer në konfrontim ku autori i dyshuar Qefalia, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të xhaxhait dhe dy nipërve të tij. Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 25-vjeçari Artan Allushi, si dhe u plagosën Nertil dhe Kujtim Allushi. Aktualisht në Spitalin Ushtarak ndodhet jashtë rrezikut për jetën, xhaxhai i viktimës 50-vjeçari Kujtim Allushi, ndërsa vëllai Nertil, ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.
Strukturat e hetimit të krimit, të Policisë së Tiranës kanë vendosur shumën e parave prej 500.000 lekësh shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të dyshuar Bashkim Qefalia, i cili mendohet të jetë dëmtuar dhe vetë. Strukturat e policisë garantojnë dhe anonimatin duke vënë në dispozicion numrat 069 41 11 021 si dhe numrin pa pagesë 129.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›