E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja tek blloku, atentati për 25 mijë lekë hak pune të papaguar

TIRANE-Zbardhet atentati i ndodhur mbrëmjen e 9 shtatorit 2013 në zonën e ish-Bllokut, që shënoi një viktimë dhe një të plagosur. Me urdhër të prokurorisë, në pranga u vu Ndriçim Balla, 33 vjeç, me detyrë nënoficer tek Shkolla e Bashkuar, i cili dyshohet si autor i vrasjes së 28-vjeçares Majlinda Hoxha dhe plagosjes së Elton Fushës.

Nga hetimet e prokurorisë rezulton se objektivi i atentatorëve nuk ishte 28-vjeçarja Hoxha, por Elton Fusha, i cili i kishte një borxh të pashlyer vëllait të Ndriçim Ballës. Pikërisht ky borxh, prej vetëm 25 mijë lekësh, mendohet të jetë dhe motivi kryesor i ngjarjes së rëndë. Vëllai i të dyshuarit kishte punuar si usta në një objekt të Fushës dhe ky i fundit ka refuzuar t’i jepte lekët. Nënoficeri Balla ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se Elton Fusha u kishte një borxh të pashlyer, por ka refuzuar kategorikisht të kishte qëlluar në drejtim të tij. Alibia e tij është rrëzuar nga dëshmia e Elton Fushës, i cili ka mundur ta identifikojë personin që e qëlloi.

Dosja e prokurorisë
Në datën 10.09.2013, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal nr.4703, viti 2013, për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/ë dhe 278/2 i K.Penal, për faktin se: Në datën 09.09.2013, rreth orës 21:30, në vendin e quajtur rruga “Vaso Pasha” dhe pikërisht në ambientet e lokal “Xhoi Lloto” është vrarë me armë zjarri shtetasja Majlinda Hoxha, si dhe është plagosur shtetasi Elton Fusha. Në lidhje me këtë ngjarje janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, si këqyrje e vendit të ngjarjes, këqyrje e kufomës së shtetases Majlinda Hoxha, sekuestrim i pesë gëzhojave provë materiale, si dhe janë marrë deklarime nga dëshmitarë okularë në vendngjarje. Nga hetimet e zhvilluara rezulton se viktima Majlinda Hoxha, së bashku me bashkëshortin e saj Fatos Hoxha, kanë shkuar tek lokali “Xhoi Lloto”, që i përket të dëmtuarit Elton Fusha. Aty rreth orës 21.30, teksa qëndronin në një tavolinë, një person i pamaskuar është afruar tek pragu i derës së lokalit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tavolinës ku qëndronin këta persona, ku si rezultat ka gjetur vdekjen e menjëhershme Majlinda Hoxha, si dhe është plagosur Elton Fusha. Ndërsa Fatos Hoxha nuk ka marrë dëmtime.

Nga deklarimet e marra shtetasve Elton Fusha (i dëmtuar) dhe Fatos Hoxha (bashkëshorti i viktimës), shpjegohet ngjarja dhe mekanizmi i saj, si dhe përshkruajnë në mënyrë të hollësishme autorin e ngjarjes, duke dhënë karakteristikat e tij. Nga provat e grumbulluara provohet se i dëmtuari Elton Fusha ka pasur një konflikt me A. Ballën, pasi ky i fundit i kërkonte t’i paguante shumën prej 25 mijë lekësh për një punë që kishte bërë si usta në objektin e tij. Por kjo shumë nuk pranohej nga i dëmtuari e si rezultat, disa ditë para ngjarjes, tek lokali i tij ka shkuar A.Balla, i shoqëruar me një person tjetër, që siç ka rezultuar është autori i ngjarjes, vëllai i tij Ndriçim Balla, dhe i janë drejtuar Elton Fushës, që “nuk të vijmë më për këtë punë, prandaj na jep lekët”. Përsëri Elton Fusha nuk u është përgjigjur. Në datën 16.09.2013 është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Ndriçim Balla, i cili ka dhënë deklarime rreth ngjarjes, duke pranuar faktin që shtetasi Elton Fusha i kishte para borxh vëllait të tij, por duke mohuar autorësinë e ngjarjes. Në datën 17.09.2013 është proceduar me paraqitjen për njohje, veprim i cili është kryer nga prokurori i çështjes të të dyshuarit Ndriçim Balla, ku gjatë zhvillimit të njohjes, të dy dëshmitarët okularë, shtetasi Fatos Hoxha dhe i dëmtuari Elton Fusha kanë njohur shtetasin Ndriçim Balla si autorin e ngjarjes së datës 09.09.2013. Për këto arsye është lëshuar urdhri i ndalimit për shtetasin Ndriçim Balla, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 79/ë dhe 278/2 i K.Penal.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›