Serbët po lodhen
Serbët e Mitrovicës së veriut çdo ditë e më pak janë të interesuar të marrin pjesë në protestat e përditshme për të kundërshtuar pavarësinë. Kjo u vërtetua edhe në protestën e së shtunës. Thirrjes së studentëve për protestë iu përgjigjën rreth 500 veta. Duket se ata kanë filluar të lodhen.
As thirrja e organizatës studentore serbe nuk ka bërë punë që në protestën e së shtunës, në veriun e Mitrovicës, të mblidhen më shumë se 500 persona. Disponimi i tyre për t’u mbledhur dhe bërtitur çdo ditë vazhdon të bjerë, ndërkohë që shumë nga ta përtojnë të mbajnë edhe parulla në duar. Edhe lirimi i kufirit nga ana e forcave të sigurisë në vend nuk ua kishte mbushur mendjen serbëve që të nisen drejt Kosovës. Kjo u vërejt në protestën e së shtunës në Mitrovicën veriore, ku serbët lokalë mbanin vetëm një parullë në duar. Kënga e tyre kushtuar Vidovdanit (Betejës së humbur të Fushë-Kosovës), ishte frymëzimi i tyre i vetëm për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. “Jemi këtu, që t’i tregojmë botës se diçka e jona nuk mund të jetë e dikujt tjetër”, bërtiste folësja që drejtonte tubimin. Nga Mitrovica, përveç serbëve të Kosovës që iu dërgonin të fala, ata përshëndetnin edhe gazetarët rusë, dy prej të cilëve xhironin protestën. E pas kësaj, disa thirrje për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ishin disa pika para se në zmadhuesit e zërit të lëshohet një këngë e një grupi rus. “Këtë këngë ky grup ia ka kushtuar Serbisë, gjysmë viti më parë”, tha drejtuesja e protestës, vetëm pak minuta pasi dëgjuan himnin kombëtar serb. Policët e SHPK-së qëndronin përballë protestuesve, të cilët kësaj here as që morën mundimin t’i afrohen cepit të urës mbi lumin Ibër. Por derisa policët vendas ishin të gjithë me uniforma të njëjta, për policët e UNMIK-ut nuk ishte shumë me rëndësi nëse 500 protestuesit thjesht valëvitnin flamuj të Serbisë apo i këndonin Kosovës. Për afro njëzet pjesëtarë të Njësitit Special të Policisë Ndërkombëtare më e rëndësishme ishte t’i bënin fotografi njëri-tjetrit. Meqë protesta e serbëve lokalë për çdo ditë sa vjen e përfundon në numër më të vogël, atëherë ata shfrytëzonin rastin të mblidhnin kujtime nga qyteti më problematik i Kosovës. Madje, njëri nga policët hungarezë të UNMIK-ut as që ishte munduar të veshë tërësisht uniformën e tij. Nëse bluzën e kishte të policisë dhe maskën në kokë, pantallonat i kishte farmerka (xhinse). Ai qëndronte anash, derisa drejtuesi i këtyre njëzet policëve iu plotësonte dëshirën vartësve të tij, duke iu bërë fotografi nga distanca. Të vetmin shqetësim që policët patën për afro një orë e gjysmë protestë, ishte shpërthimi i dy mjeteve piroteknike. Sipas policisë, kjo protestë e paralajmëruar është përcjellë me pjesëmarrje të rreth 500 protestuesve, ndërsa ishte nën kontroll të njësive policore të SHPK-së dhe atyre të UNMIK-ut. “Protesta ka përfunduar pa ndonjë incident rreth orës 14:00, ndërsa protestuesit janë shpërndarë të qetë”, thotë Besim Hoti, zëdhënës i SHPK-së për rajonin e Mitrovicës.