Showgirl i kushtohet këngës
Adelina Macastena
Kosovarja Adelina Macastena braktis pasarelat
Për herë të parë është shfaqur në disa xhirime të videokasetave për Vitin e Ri, që janë bërë në atë kohë. Prej kohësh, Adelina apo Lina siç e thërrasin shkurt, një pjesë tjetër të aktiviteteve të saj e përqendron në disa sfilata të ndryshme, në spektakle bukurie, spote publicitare, në show si modele e javës etj. -Kur keni filluar me karrierën e modelingut? “Me modeling kam filluar të merrem qëkur kam qenë 15 vjeçe, në shoqatën e modeleve “ABC” që ka qenë në Prishtinë. Kështu ka filluar dhe aty kam mësuar hapat e parë”. -Në sa aktivitete keni qenë pjesëmarrëse? “Kam marrë pjesë në disa xhirime të videokasetave të Vitit të Ri, që janë bërë në atë kohë, kurse një pjesë tjetër e aktiviteteve të mia ka qenë përqendruar edhe në disa sfilata të ndryshme, në spektakle të zgjedhjes së “Miss”-it, në disa reklama, në show të së shtunës si modele e javës etj. Gjithashtu kam pasur disa ftesa për udhëheqjen e disa koncerteve nëpër Kosovë etj”. -A jeni shpërblyer deri tani me ndonjë çmim? “ Jo, për arsye se unë nuk kam konkurruar në spektakle të tillë ku jepen çmime, ku mesa më kujtohet, veçse një herë kam konkurruar dhe kam fituar çmimin e publikut dhe atëherë nuk kam pasur më shumë se 16 vjet”. -A keni reklamuar për ndonjë agjenci? “Në ndonjë agjenci të caktuara jo, sepse atëherë kur unë kam marrë pjesë, sfilatat i kanë mbajtur persona qe nuk kanë pasur agjenci mode, por kanë reklamuar vetëm rrobat e tyre. Kur u hapën agjencitë e modës në Prishtinë, unë u largova nga bota e modelingut e fillova të merrem me muzikë. Por tani, para dy muajsh, nga agjencia “Elite” mora një ftesë, por ende s’kam vendosur asgjë, pasi prioritare tani për tani për mua është muzika dhe kënga shqip”. -Mund të na tregoni se ku e shihni veten tani, midis modelingut apo muzikës? “Jam e tërhequr nga bota e modelingut, jo pse nuk i kushtoj rëndësi, por pasi tre vjet më parë kam filluar t’i përkushtohem muzikës. Modelingu sikur ka mbetur fillimi i karrierës sime, megjithatë kohë pas kohe merrem me fotomodelizëm dhe definitivisht muzika mbetet përkushtimi im kryesor dhe nuk mendoj ta ndërroj me asgjë tjetër”. -Çfarë mendoni për modelet kosovare dhe cila do të ishte porosia juaj për to? “Në Kosovë ka shumë modele të mira, disa tanimë kanë edhe eksperiencë, ku sharmi i tyre tregohet në çdo sfilatë që organizohet në Prishtinë. Nëse më të mirave u jepet mundësia të dalin jashtë Kosovës, pa dyshim që ato mund të sfilojnë edhe në pistat botërore. Unë besoj se modelet kosovare mund ta përfaqësonin bukurinë shqiptare denjësisht. Unë atyre iu uroj fat të mirë dhe suksese!” -Ju tani merreni me muzikë, mund të na tregoni se çfarë ishte ajo që ju shtyu në këtë art me konkurrencë kaq të fortë? “Të bëhem këngëtare ka qenë ëndërr e imja e kahershme. Lirisht, mund të them se unë me muzikë jam marrë edhe më herët, pikërisht atëherë kur kam jetuar në Itali. Nuk kam qenë më shumë se 14 vjeçe kur fillova të jem soliste në një grup rroku, që vepronte në kuadër të shkollës, atëherë kur studioja në Itali. Në atë grup unë kam qenë këngëtare e grupit dhe merrnim pjesë në disa koncerte që organizoheshin nga shkollat e qytetit ku jetoja. Futja ime në këtë grup u bë përmes konkursit të shpallur nga shkolla, pasi solistja para meje ishte larguar për shkaqe personale. Kjo kështu mbeti derisa isha në Itali, por me ardhjen time në Kosovë, kjo ëndërr mbeti disi vetëm në kujtesë dhe fillova të merrem me modelingun dhe vallëzimin. Para tre vitesh fillova të mendoja pak më tepër për muzikën dhe sikur kujtesa nga Italia më thoshte të provoja fatin e solistes edhe në vendin tim, në Kosovë. Kështu, në moshën 17-vjeçare kam kënduar këngën e parë, ndërsa në moshën 18-vjeçare kam marrë pjesë ne festivalin e Kosovës “Polifest 2004”, me këngën që quhej “Kthehu me diellin”. Pastaj kam incizuar këngën e dytë “Kjo jam unë”, ku mora pjesë gjatë këtij viti në festivalin tjetër, “Kosova Fest 2005”. Tani, para dy javësh, kam mbaruar edhe këngën e tretë, që titullohet “Kative”, këngë së cilës mendoj t’i bëj edhe videoklip, mirëpo për momentin jam e interesuar të marr pjesë në festivalin e mirënjohur në Shqipëri “Top Fest”. -Kush janë planet e Adelina Macastenës, Linës, në vitet që vijnë dhe çfarë mund të presë publiku shqiptar nga ju? “Çdo vajzë e re si unë ka plane, ndaj edhe unë nuk jam pa to. Planet e mia janë të shumta, por unë kam veçuar disa, ku mendoj të përqendrohem më së shumti në përgatitjen e albumit tim të parë dhe dy videoklipeve. Kështu që muzika do të kthehet në personalitetin tim. Ndërsa synimi kryesor i planeve të mia mbetet të mbaroj studimet dhe muzika bashkë me vallëzimin të jenë pjesë e jetës sime, pse jo, kur të kem kohë, të mos e provoj fatin edhe si fotomodele shqiptare”.