E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasjet e 21 janarit 2011 duhet të hetohen

Miltiadh M. Muçi

- Dy vjet nga dita e ngjarjes së 21 janarit 2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, shpalli të pafajshëm të akuzuarit Ndrea Prendi e Agim Llupo, personat e vetëm të akuzuar dhe arrestuar nga prokuroria për vrasjet me dashje në rrethana të cilësuara. Argumentet e trupit gjykues për pafajësinë janë:

1.Vepra penale e parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal për të cilin janë akuzuar të pandehurit, kërkon domosdoshmërisht elementin e dashjes direkte, pasi kjo vepër nuk mund të kryhet me dashje indirekte. Ky element nga provat e paraqitura në gjykim nuk u provua se ekziston.

2.Duke u bazuar në disa vendime të Kolegjeve të Bashkuara, nëpërmjet këtij vendimi gjykata i përgjigjet akuzës së ngritur dhe faktit, nëse provohet ose jo. Ajo nuk mund të shprehet për fakte të pa hetuara nga prokuroria ndaj dy të pandehurve....

3.Gjykata ka marrë parasysh vendimin e datës 28 gusht të vitit 2009, të Gjykatës së Strasburgut dhe është e detyrueshme për Gjykatat shqiptare. Në pikën e parë të “argumentit” trupi gjykues pranon, se kemi vrasje me dashje indirekte, pra jo direkte sikurse e kërkon neni 79 i Kodit Penal, sepse “elementi i dashjes direkte me provat e paraqitura në gjykim, qartësisht nuk u vërtetuan të ekzistonin. Në këtë rast bëhet fjalë për të akuzuarin Agim Llupo, dhe mbrojtja ka pretenduar se predha që ka shkaktuar vdekjen e viktimës Ziver Veizi, e identifikuar me armën e të akuzuarit Agim Llupo ka prekur më parë një objekt të papërcaktuar, më pas ka goditur dhe mbetur në trupin e viktimës. Këtë pretendim mbrojtja e mbështet në aktin e Policisë Shkencore, të mbrojtur nga anatomopatholou Ndoc Çardaku.

Prokuroria nuk i hetoi provat që të rrëzonte pretendimet e mbrojtjes, se qitja ndaj Ziver Veizit dhe qitjet e tjera të efektivave të gardës jo të gjitha u kryen në ajër, se midis tyre kishte ose jo rikoshetë të predhës që shkaktuan vdekjen e Ziver Veizit apo Faik Myrtajt nga të pandehurit Agim Llupo dhe Ndrea Prendi dhe çdo pretendim tjetër.

Ekspertimet balistike kanë vërtetuar dy armët që kanë qitur plumbat e gjetur në brendësi të trupave të viktimave, dy prova materiale që kanë shërbyer si mjete për realizimin e veprës ku janë gjetur gjurmë apo objekte të veprimeve të pandehurve, sikurse janë edhe gjurmët në tesha apo trupin e viktimave. Në këmishën e Ziver Veizit, thuhet se ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur një ashkël druri peme të papërcaktuar, e cila bashkë me plumbin ka kontaktuar dhe mbetur në këmishë, pasi plumbi ka goditur më parë në pemën e papërcaktuar, me rikoshetë ka ndërruar rrugë në drejtim të viktimës Ziver Veizi, që vërteton për qitje indirekte pra njëkohësisht vrasje jo me dashje direkte.

I takon Gjykatës së Apelit që të vendosë hetim të mëtejshëm dhe të sugjerojë që të kryhet eksperimenti hetimor dhe jo vetëm, ku ndihmesë do të japin sekuencat e regjistrimeve të kamerave televizive të disa stacioneve që i disponojnë, në mungesë të servërve të zhdukur të Kryeministrisë, që çuditërisht gjatë hetimit dhe në seancë gjyqësore nuk u kërkuan nga palët, kur rast pas rasti organi i policisë e prokurorisë i kanë përdorur me efektivitet regjistrimet e kamerave të subjekteve fizikë, për disa ngjarje të ndodhura.

Për çka ndodhi në 21 janar 2011, u pa nga publiku vendas dhe i huaj, dhe pritej që drejtësia, në veçanti gjyqësori të siguronte pavarësinë nga pushteti ekzekutiv, kreu i të cilit një ditë më parë paralajmëronte çdo të ndodhte një ditë më pas, kur në intervistën e “Opinion” tha: “...Absolutisht çdo element, i cili do të tentojë të bëjë bandën do të marrë përgjigjen e bandës...”, kur ishte një protestë masive, e organizuar dhe e lejuar, me kërkesa kryesisht ekonomike, e paarmatosur, që u provokua për gjithçka ndodhi jashtë rrethimit të mureve të Kryeministrisë, ndërsa viktimat vriten me duar në xhepa, duke bërë “sehir”, në kundërshtim me ligjin “Për misionin e Gardës së Republikës” dhe veçanërisht “Për përdorimin e armëve të zjarrit” për të cilat jam shprehur në shtyp një vit pas ngjarjes, sikurse mbetet të shprehem në të ardhmen se kush fshihen pas këtyre vrasjeve.

*Jurist – Ekspert Kriminalist i Pavarur


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›