Vrasjet në Elbasan, policia jep 50 mijë dollarë për informatorin
Policia e Elbasanit do të shpërblejë me 50 mijë dollarë personin që do të japë informacione mbi autorët e vrasjes së trefishtë në Elbasan. Sipas policisë personi që do të japë të dhënë të sakta mbi autorin do të shpërblehet por do të ruhet edhe anonimati.
Gjithashtu policia ka theksuar se pista kryesore e vrasjes së tre personave të familjes Mahmutaj është ajo e hakmarrjes. Sipas policisë vrasja e tyre ka të bëjë me vëllain e tretë të familjes Mahmutaj dhe pikërisht me Andon Mahmutaj 46 vjeç i cili është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për vrasje.
46 vjeçari Andon Mahmutaj kërkohet në Itali dhe Spanjë pasi përpara dy vitesh Ka kryer vrasje në këto dy shtete.
Sipas policisë në vitin 2009 46-vjeçari Andon Mahmutaj ka tentuar të vrasë në qytetin e Elbasanit shtetasin me inicialet A.B ndërsa në vitin 2010 ai është dënuar me 1.4 vjet burg për plagosje.
Ndërkohë një person i paidentifikuar ka hyrë mëngjesin e sotëm në banesën e Emin Mahmutajt dhe ka qëlluar për vdekje me pistoletë këtë të fundit, dy djemtë e tij Xhelal dhe Pëllumb Mahmutaj, si dhe ka plagosur bashkëshorten e Pëllumbit, Myzejen Qosja.