E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pas 11 vjetësh boshnjaku i sëmurë

SHKODËR Pas 11 vitesh zhdukje, një shtetas boshnjak me probleme mendore e fizike është mundur të gjendet nga të afërmit e tij. Shtetasi nga Sarajeva, i lindur në Serbi, ka qenë i shfaqur në zonën e Vaut të Dejës në Shkodër që në kohën e luftës në ish-Jugosllavi. Duke qenë se ai nuk flet ka qenë i pamundur identifikimi i tij, ndërsa nuk ka patur asnjë dokument me vete. Ka jetuar si endacak nëpër këtë zonë dhe kanë qenë banorët që i kanë dhënë ushqim. Për një periudhë kohe ai është strehuar dhe në shtëpinë e njerëzve në nevojë në Laç të Vaut të Dejës, por me mbylljen e këtij institucioni ka vazhduar të jetojë nëpër rrugë. Kanë qenë punëtorët e huaj që punojnë për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës ata që e kanë njohur endacakun e huaj dhe janë vënë në kontakt me njerëzit e tij. Në paraditen e djeshme, në zyrat e policisë janë paraqitur të afërm të endacakut të paidentifikuar, që e kanë njohur dhe kanë pohuar se ai quhet Izet Didiç, i ditëlindjes 03.05.1962, i lindur në Ugao-Sijenica në Serbi, ndërsa të afërmit banojnë në Sarajevë. Sipas të afërmve, ka 11 vjet që Izeti, i cili ka probleme mendore dhe fizike, pasi nuk flet, është larguar dhe për të nuk kanë patur asnjë shenjë. Vëllai i tij Safet Didiç mësohet se ka paraqitur para autoriteteve shqiptare fotografi të të humburit dhe familjes, certifikata dhe dokumente legale të përkthyera nga serbishtja në shqip dhe ka qenë i shoqëruar nga një avokat shqiptar. I identifikuari është përcjellë në drejtorinë e kufirit e migracionit në Shkodër, për të kryer veprimet përkatëse që do mundësojnë tërheqjen e tij nga familja. D.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›