E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasjet në Shkup,LSI: Akti synon të provokojë destabilitet në Maqedoni

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) dënoi të shtunën vrasjen e pesë personave në afërsi të Shkupit, duke e cilësuar ngjarjen një akt që synon të provokojë destabilitet në Maqedoni.

Në një deklaratë për shtyp sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se "është e pafalshme që në kuadër të proceseve të integrimit europian, ku është përfshirë dhe Maqedonia fqinje të ketë ende qarqe të caktuara që synojnë të provokojnë tensione ndëretnike dhe të krijojnë një situatë të rëndë dhe destabilitet në këtë vend".

"Ajo që është më e rëndësishme dhe që ka nevojë Maqedonia fqinje është stabiliteti, fryma konstruktive dhe partneriteti i të gjithë aktorëve politikë, pavarësisht etnisë, dhe të gjithë bashkë të kontribuojmë për të rritur e përmbushur detyrimet që kërkon procesi i europianizimit", tha ai.

"U bëjmë thirrje autoriteteteve ligjzbatuese në Maqedoni për të zbardhur të vërtetën dhe për të kapur dhe ndëshkuar autorët e këtij krimi të rëndë. Jo vetëm LSI, por gjithë opinioni shqiptar gjykon se çdo ngjarje e rëndë, provokim apo akt kriminal që ndodh në Maqedoni është një akt provokimi ndaj bashkëjetesës dhe bashkëveprimit demokratik të të gjitha grupeve etnike", u shpreh zyrtari i LSI-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›