E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Prokuroria ngre akuzën ndaj shoferit të Ndrea Prendit

Margarit Kume

Tirane Prokuroria i njofton shoferit të ish-komandantit të Gardës akuzën për pengim në zbulimin e së vërtetës në kuadër të dosjes 21 janari. Margarit Kume, bashkë me avokatin e tij, u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës në zbatim të vendimit detyrim paraqitje një herë në javë. Prokuroria mësohet se ka ngritur ndaj Kumes akuzën e pengimit në zbulimin e së vërtetës në lidhje me veprimet që janë kryer me armën e tij tip pistoletë pas ngjarjeve të 21 janarit. Prokuroria e akuzon Kumen se i ka dhënë armën e tij Ndrea Prendit, ndërsa ky i fundit ka ndryshuar tytën e pistoletës së tij me atë të shoferit për të shmangur zbulimin e vrasjes së Faik Myrtajt. Mirëpo shoferi i ish-komandantit të Gardës mësohet se nuk e ka pranuar akuzën. Ai ka thënë se rreth datës 20 mars 2012, bazuar në kërkesën që i është bërë, e ka dorëzuar armën e tij në magazinën e Gardës së Republikës dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas. Mirëpo Prokuroria thekson se ka pasur një bashkëpunim mes Margarit Kumes dhe ish-shefit të tij, Ndrea Prendi. Sipas Prokurorisë, Prendi, i cili akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese ndaj Faik Myrtajt, ka qëlluar 11 herë me pistoletë më 21 janar. Pesë nga predhat e qitura nga arma e Ndrea Prendit janë gjetur, katër në godinën e UNHCR-së përballë Kryeministrisë dhe një plumb tjetër në trupin e Faik Myrtajt. Pas gjetjes së predhave, organi i akuzës ka kryer ekspertimet dhe fillimisht predhat në fjalë nuk përputheshin me armën e Ndrea Prendit. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, Prokuroria dërgoi në SHBA dy pistoletat, atë të Prendit dhe armën e shoferit të tij, Margarit Kume. Më 5 janar 2012, ekspertiza e FBI-së zbuloi se arma e Ndrea Prendit më 21 janar kishte pasur tytën që ishte vendosur pas ngjarjes në pistoletën e Margarit Kumes. Po kështu, sipas hetimeve, Ndrea Prendi ka prerë gjilpërën goditëse të shulit të armës së tij në mënyrë që kur të bëhej ekspertimi, pistoleta të linte gjurmë tjetër në kapsollë nga ajo që kishte lënë në gëzhojat e mbetura në vendngjarje më 21 janar. Prokuroria kërkoi që në janar të këtij viti masën e arrestit me burg për Margarit Kumen njësoj si për shefin e tij, Ndrea Prendi, por gjykata vendosi arrest shtëpie për gjeneralin dhe detyrim paraqitje për ish-shoferin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›