Përjashtimi nga ndihma, të verbrit në protestë

Nga protesta e të verbërve në Gjirokastër
GJIROKASTER – Të verbrit protestojnë ndaj ministrit të Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Ministri ndodhej dje në qytetin e Gjirokastrës për një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe grupeve të interesit për dhunën në familje. Dhjetëra anëtarë të Shoqatës së të Verbërve të Gjirokastrës protestuan para hotel Çajupit në qendër të qytetit, aty ku zhvillohej takimi i Kserës, i cili parashtronte platformën mbi menaxhimin dhe zgjidhjen e problemeve të dhunës në familje. Me pankarta në duar, në të cilat shkruhej Mos ndryshoni ligjin!, Mos cenoni të drejtat tona!, protestuesit kanë dashur të tërheqin vëmendjen ndaj ndryshimit të ligjit për trajtimin e tyre. Me ndryshimet, ligji e përjashton këtë kategori nga përkrahja sociale, ndërkohë që nuk u njeh më atyre kompensimin e konsumit të energjisë elektrike apo dhe përfitimet në transportin urban. Ministri Ksera u shpreh se institucioni që drejton ka ngritur një grup pune, në mënyrë që të evidentohen të gjitha kërkesat e shoqatave, ku më pas do të përpilohen aktet nënligjore. Ministri deklaroi se po diskutohet përmes një studimi të ERE-s që të subvencionohet masa mesatare e konsumit të energjisë elektrike të një familjeje të tillë. Në bazë të këtij studimi, kjo masë qëndron nga 200-300 Kwh, duke llogaritur edhe ngrohjen e këtyre familjeve. Kjo ngelet për tu vendosur përmes bashkëpunimit mes shoqatave dhe dikasterit që unë drejtoj. Ndërkohë që do të doja të shprehesha se përveç kësaj, shoqatat duhet të ulen me ne, pasi vetëm ne kemi një detyrim tek 11 rekomandimet e vëna nga BE për integrimin në këtë organizëm. Kjo na detyron të bëjmë një ligj integral për aftësinë e kufizuar, tha Ksera. p.n