Gjyqi pa përkthyes, bie dënimi 15 vjet për vrasje
Gjykata: I akuzuari flet gjuhën gorane, dosja iu paraqit në shqip.
Apeli: Rigjykim për ekzekutorin e transvestitit në Tiranë.
Mungesa e një përkthyesi të gjuhës gorane në sallën e gjyqit ka rrëzuar dënimin me 15 vjet burg ndaj një shtetasi kosovar të deklaruar fajtor për vrasjen e transvestitit të njohur me pseudonimin Kristina. Kosovari Sebajdin Hoxha, i shpallur fajtor për vrasjen e transvestitit Petrit Muça në shtator 2009 në Tiranë, do të rigjykohet në Gjykatën e kryeqytetit. Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimin të Shkallës së Parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim. Vendimi i Apelit është shpallur në muajin shkurt, por vetëm pak ditë më parë është zbardhur arsyetimit i plotë i tij. Sipas togave të zeza të Apelit, në gjykimin në Shkallën e Parë të të pandehurit Hoxha, si një person që nuk flet shqip, i është mohuar e drejta e një përkthyesi. Nga provat e paraqitura në Apel ka rezultuar se Sebajdin Hoxha ka lindur në Dragash, Prizren, dhe se ai nuk e flet gjuhën shqipe dhe komunikon në gjuhën e tij amtare, që është gjuha gorane. Gjykata e Apelit Tiranë çmon se i pandehuri Sebajdin Hoxha është një shtetas i huaj, i cili megjithëse është shtetas i një vendi në të cilin gjuha zyrtare është gjuha shqipe, ai bën pjesë në një komunitet, i cili flet gjuhën gorane dhe ka kërkuar në gjykatë që të gjykohet me ndihmën e një përkthyesi në gjuhën e tij, arsyetohej në vendimin e Apelit. Referuar arsyetimit të treshes gjykuese të Apelit, të kryesuar nga gjyqtari Genti Shala, gjykata e ka vlerësuar të drejtë pretendimin e vetë të pandehurit për nevojën e një përkthyesi në seancë. Procesi gjyqësor zhvilluar ndaj të pandehurit Sebajdin Hoxha është zhvilluar në shkelje të një të drejte themelore të njeriut, e cila në Republikën e Shqipërisë garantohet nga Kushtetuta, dhe ky proces rezulton i parregullt nga ana ligjore. I pandehuri Sebajdin Hoxha duhet të gjykohet duke i garantuar ndihmën e një përkthyesi në gjuhën gorane, thuhej në vendimin e Apelit.
VRASJA E KRISTINES
Më 18 maj 2011, Sebajdin Hoxha u deklarua fajtor nga Gjykata e Tiranës për vrasjen me thikë të Petrit Muçës, transvestitit të njohur si Kristina dhe u dënua me 15 vjet burg. Transvestiti u gjet i pajetë, i prerë me thikë në fyt, mbrëmjen e 19 shtatorit 2009 në një godinë pranë rrugës Abdi Toptani në Tiranë. Fajësia e Hoxhës u provua nga gjykata, ndër të tjera prova, përmes disa dëshmive të transvestitëve të tjerë. Sipas dëshmitarëve, Sebajdin Hoxha identifikohej nga komuniteti i transvestitëve si Kosovari, për shkak të vendit nga ai vinte dhe si Maniaku, pasi ai i ngacmonte ata shpesh. Po në dëshmitë e tyre, ata e cilësonin atë si klient të rregullt të prostitutave dhe transvestitëve. Sipas vendimit të Shkallës së Parë, mbrëmjen e ngjarjes, Sebajdin Hoxha e ka marrë Kristinën për të kryer marrëdhënie seksuale, por më pas e ka qëlluar me thikë.
Polici dëshmitar
Një polic i Burgjeve ka qenë dëshmitar i vrasjes së transvestitit në qendër të Tiranës. Efektivi i Policisë ka qenë duke bërë roje para Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në kohën kur në godinën e braktisur përballë institucionit të Burgjeve ka ndodhur vrasja e trasvestitit. Polici ka njoftuar në Sallën Operative në lidhje me konfliktin mes dy personave.
ARMAND BAJRAMI