Ceremonia mortore e minatorit, ndalet puna në minierë
Viktima Naim Shyti është përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit, ndërsa në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë deputetë dhe pushtetarë lokalë
BULQIZË Qindra minatorë dhe banorë të Bulqizës kanë përcjellë dje për në banesën e fundit minatorin 39-vjeçar, Naim Shyti. Kortezhi i gjatë i makinave dhe njerëzve ka lëvizur nga qyteti i minatorëve për në fshatin e lindjes së Shytit dje në orën 14:00. I pranishëm në ceremoninë e organizuar ishte deputeti Qemal Minxhozi, presidenti i KSSH-së Kol Nikollaj, kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta si dhe sindikalistë të ardhur nga rrethe të tjera të vendit. Puna në minierë është ndalur, ndërkaq sipas drejtorit të ACR-së, Medat Zogu, po punohet për largimin e gazeve të tepërta nga miniera dhe rindërtimi i shembjeve të krijuara nga shpërthimi i pazakontë, ku humbi jetën babai i dy fëmijëve si dhe u plagosën rëndë 8 të tjerë
Ceremonia
Minatorët qëndronin para lokalit ku familja Shyti priste njerëzit që kishin ardhur për ta ngushëlluar, ndërkohë në shtëpinë e tij në lagjen “Gjeologu”, gratë lotonin për Naimin që u nda nga jeta pas aksidentit në minierë. Tentativa për të kontaktuar me Astrit Çupin, personin që ishte fare pranë Naim Shytit, ishte e kotë. Ai sipas minatorëve ishte i tronditur dhe nuk kishte dalë dje nga shtëpia. Zyrtari më i lartë që ngushëlloi familjen Shyti ishte Qemal Minxhozi, deputet i Qarkut të Dibrës. Në deklaratën e tij ai tha se “tragjedia ishte e pritshme. Isha në familjen Shyti për ta ngushëlluar për humbjen e djalit të saj. Organi i akuzës duhet t’i shkojë deri në fund kësaj ngjarjeje të rëndë. Ajo nuk duhet të veprojë si në rastet e tjera kur është heshtur, megjithëse për pak vjet këtu kanë humbur jetën 20 minatorë. Ende askush nuk është vënë para përgjegjësisë”, - deklaroi Minxhozi, deputet i Qarkut të Dibrës.
Minatorët
Ndërkohë në ceremoninë e organizuar në Fushë-Bulqizë, kryetari i komisionit të grevës, Baki Bajraktari tha: “Në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, i shprehim familjes së Naimit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e djalit të tyre të dashur dhe të shtrenjtë. Naimi ishte dhe do të mbetet për ne minatorët sindikalistë shembulli i punëtorit të palodhur, prindit të mirë dhe të dashur, sindikalistit të radhëve të para. Ngjarja tragjike e ditës së djeshme ku humbi jetën shoku, miku, vëllai ynë Naim Shyti, duke lënë dy fëmijë jetimë, do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë pasi ishte e paralajmëruar. Ne sindikalistët minatorë zotohemi para arkivolit me trupin e shokut, mikut dhe vëllait tonë të dashur, Naim Shyti, se nuk do të ndalemi në rrugën e nisur së bashku, për përmirësimin e kushteve të punës në minierë”, - u shpreh Bajraktari pranë arkivolit të Naim Shytit. Dje pasdite, këshilli sindikal i minatorëve ka zhvilluar një mbledhje. Drejtuesit janë shprehur se janë në pritje të hetimeve të prokurorisë dhe RISHM-it. Ata kanë deklaruar se do t’i rikthehen punës, por kërkojnë më shumë siguri për jetën dhe shëndetin e tyre. Pajtim Hasa
Kryeministri viziton të plagosurit në spital
Ditën e djeshme Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe familjes së minatorit Naim Shyti
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi familjes së minatorit Naim Shyti, i cili humbi jetën të martën, në minierën e Bulqizës. Në mesazhin e tij drejtuar familjarëve të të ndjerit Naim Shyti, Kryeministri shprehet se “vdekja tragjike e njeriut tuaj të dashur, birit, babait, prindit, ishte një lajm shumë hidhërues për mua dhe familjen time, por edhe për qeverinë e vendit. Me këtë rast, duke ndarë me ju dhimbjen e kësaj humbjeje, u shpreh familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit Naim Shyti ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”, theksohet në mesazhin e kryeministrit Berisha. Po dje, kreu i qeverisë Sali Berisha vizitoi minatorët e plagosur dje në minierën e Bulqizës, që ndodhen në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit të Spitalit Amerikan, në Tiranë. Kryeministri Berisha, pasi u njoh nga shefi i reanimacionit me gjendjen dhe trajtimin e tyre, vizitoi minatorët dhe u uroi atyre shërim të shpejtë. Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të japë ndihmën dhe mbështetjen e saj për shërimin e shpejtë e tyre. “Ky ishte një aksident i dhimbshëm e tragjik dhe qeveria është e vendosur, së bashku me mjekët, të bëjë çdo gjë për t’ju ndihmuar”, - tha ai.