Vrau 27-vjeçarin në Durrës, gjykata arrest me burg për Ardit Hyskën
Gjykata e Durrësit lë në burg pa afat 28-vjecarin Ardit Hyskja, autori i dyshuar për vrasjen e shtetasit Refik Lila. Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura, jashtë syrit të medias me kërkesë të Prokurorisë për shkak të sekreteve hetimore.
Një fakt i tillë u kundërshtua nga pala mbrojtëse, nën argumentin se personi nuk paraqet rrezikshmëri, megjithatë trupa gjyqësore pranoi kërkesën e Prokurorisë duke nxjerrë jashtë familjarët dhe gazetarët.
Në seancë ka folur edhe i pandehuri Hyskja, i cili i ka qëndruar sërish alibisë fillestare, ku sipas tij në kohën kur ka ndodhur ngjarja ai gjendej në spital tek i ati.
Alibinë e ngritur e kanë mbështetur edhe familjarët e tij, të cilët shprehen se në momentin e krimit, ai ndodhej në spital, duke vizituar babanë e shtruar.
Ngjarja e rëndë u regjistruar paraditen e së mërkurës mbrapa stadiumit Niko Dovana të qytetit, në lulishten para një blloku pallatesh në këtë zone, ku 27-vjeçari Refik Lila është vrarë me armë zjarri pistoletë.
Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është konfliktuar me një person me kapele, pasi ka zbritur nga automjeti Ford Focus me targa të huaja. Në konflikt e sipër, debatuesi ka qëlluar mbi të dhe është larguar më pas me një automjet që, sipas dëshmitarëve, ka qenë i tipit Mercedes Benz.
Shërbimet e policisë, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, janë vënë në lëvizje për të kapur autorin e krimit. Lila, me origjinë nga Dibra, është dërguar në spitalin rajonal, por sipas burimeve nga ky spital, ai ka mbërritur i vdekur dhe trupi i tij është dërguar në morg.
Shërbimet policore kanë siguruar dhe administruar vendin e ngjarjes, ndërkohë që vetëm pak kohë më vonë, policia ka arrestuar të dyshuarin për këtë krim, Ardit Hyskja nen akuzen për “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Policia shprehet se ka prova të pakundërshtueshme, që lidhin autorin me armën dhe mjetin e krimit.