Vrau burrin e saj-Ekspertët e OKB-së apel Iranit: Ndalo menjëherë ekzekutimin e gruas 25-vjeçare

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë ekzekutimin e Goli Kouhkan, një grua 25-vjeçare pa dokumente, e cila u martua me forcë në moshën 12-vjeçare dhe tani rrezikon të varet për vrasjen e burrit të saj abuziv.
Sipas deklaratës së publikuar dje nga 8 ekspertë të OKB-së, Goli u detyrua të martohej me kushëririn e saj kur ishte vetëm 12 vjeç, lindi djalin e saj në moshën 13-vjeçare në shtëpi pa ndihmë mjekësore dhe vuajti vite të tëra dhunë fizike dhe psikologjike.
Në maj 2018, kur ajo ishte 18 vjeç, burri i saj e rrahu rëndë si atë, ashtu edhe djalin e tyre 5-vjeçar. Pas një sherri që shpërtheu kur Goli thirri një të afërm për ndihmë, burri mbeti i vrarë.
Ekspertët thonë se Goli, analfabete dhe pa avokat, u detyrua të pranojë përgjegjësinë e plotë nën presion.
Familja e viktimës pranoi të heqë dorë nga hakmarrja (dënimi me vdekje) në këmbim të “parave të gjakut” (diyeh), por kërkon shumën prej rreth 90 000 dollarësh – shumë herë më e lartë se norma e zakonshme dhe krejtësisht e paarritshme për të.
“Rasti i Goli Kouhkan-it është shembull i qartë i diskriminimit sistematik gjinor ndaj grave viktima të martesave fëmijërore dhe dhunës në familje brenda sistemit penal të Iranit. Ekzekutimi i saj do të përbënte shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thanë ekspertët.
Sipas të dhënave, gati gjysma e 241 grave të ekzekutuara në Iran mes viteve 2010–2024 janë dënuar për vrasjen e bashkëshortëve ose partnerëve intimë.
Irani është ekzekutuesi i dytë më i madh në botë pas Kinës, sipas organizatave si Amnesty International.
Ekspertët e OKB-së i kërkojnë autoriteteve iraniane të ndalin menjëherë ekzekutimin dhe të rishikojnë rastin duke marrë parasysh historinë e dhunës dhe martesën e detyruar fëmijërore.
/rtsh.al/