Zv.Ministri i Bujqësisë, Guri për RTSH 24: Në janar 2026 nis skanimi i agropërpunimit, ushqimet në treg të njëjta me ato të eksportit

Hapja e negociatave për Grupkapitullin e 5-të, i cili përfshin Bujqësinë dhe Sigurinë Ushqimore, shënon një kthesë vendimtare jo vetëm për integrimin e Shqipërisë, por edhe për cilësinë e produkteve në tryezat e konsumatorëve.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, në një intervistë për RTSH 24, njoftoi se Ministria po përgatit një plan masiv për përafrimin e standardeve, i cili do të kulmojë në janar të vitit 2026 me një projekt për analizën e plotë të sektorit të agropërpunimit.
Sipas Gurit, qëllimi final i këtyre negociatave është krijimi i një tregu unik, ku diferencimi midis produkteve “për eksport” dhe atyre “për tregun e brendshëm” nuk do të ekzistojë më.
Siguria ushqimore dhe standardet e BE-së
Fokusi kryesor i Kapitullit 12 është siguria ushqimore, një fushë që kërkon përditësim të vazhdueshëm të kushteve teknike. Zv.ministri bëri të ditur se duke nisur nga fillimi i vitit 2026, do të nisë verifikimi i situatës reale në agropërpunim.
“Që në janar të 2026, ministria fillon një projekt të madh ku do të analizojë të gjithë sektorin e agropërpunimit, se si është situata dhe cilat do të jenë masat që do të merren. Në të ardhmen nuk do të kemi ato shqetësime që ka konsumatori shqiptar se ‘këto janë për eksport e këto për tregun brenda’. Cilësia e produkteve do të jetë e njëjtë,” deklaroi Guri.
Ndryshimi i skemave mbështetëse për fermerët
Përballja me tregun e madh dhe konkurrues të BE-së kërkon që fermerët shqiptarë të ndryshojnë mënyrën e prodhimit, duke mbrojtur natyrën dhe duke garantuar siguri (Kapitulli 11). Për ta bërë këtë, qeveria parashikon ndryshimin e filozofisë së subvencioneve.
“Kërkesa jonë është që vitin e ardhshëm skemat tona mbështetëse t’i përafrojmë gradualisht me ato të BE-së. Duhet ta përgatisim fermerin tonë që të jetë i gatshëm nesër të plotësojë kërkesat e unionit,” theksoi zv.ministri, duke shtuar se do të nisë një fushatë kombëtare ndërgjegjësimi për prodhuesit, tregtarët dhe përpunuesit.
Rekordi i negociatave
Në rrafshin politik, Guri vlerësoi punën e bërë nga administrata shqiptare, duke nënvizuar se hapja e Grupkapitullit të 5-të përmbyll hapjen e të gjithë kapitujve në një kohë rekord prej 13 muajsh.
“Kjo u vu në dukje edhe në takimin e qeverisë shqiptare dhe BE, duke bërë të mundur një tejkalim të hapave më të rëndësishëm drejt anëtarësimit,” tha ai.
Megjithatë, Guri pranoi se sfidat mbeten të mëdha, pasi sektori bujqësor mbart ende pesha nga e kaluara, si problemet me organizimin. Tashmë, me forcimin institucional që sjellin kapitujt 11, 12 dhe 13, synohet që bujqësia shqiptare të integrohet plotësisht në tregun unik evropian.
/rtsh.al/