E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Prifti, rivlerësim të kërkesave për buxhetin

23/09/2009  Ristrukturim i METE-s

Ministri i ri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në takimin e tij të parë me drejtues dhe punonjës të këtij dikasteri kërkoi më shumë përkushtim në punë, sidomos sa i takon mbështetjes buxhetore. “Kam lexuar materialin që ju keni dërguar në Ministrinë e Financave dhe jam surprizuar për keq. Atje kërkoheshin vetëm rrogat, sigurimet shoqërore dhe shpenzime operative. Kjo ministri duhet të jetë edhe ministri politikash. Kemi gjithë këto institucione varësie dhe ne duhet të bëjmë edhe politika. Ju lutem që brenda kësaj jave të bëni një rivlerësim të kërkesave që keni për buxhetin. Mos e limitoni veten nga ngurtësia e Ministrisë së Financave”, - tha Prifti. Ai theksoi se ristrukturimi do të nisë me ngritjen e një drejtorie të Integrimit Evropian. “Drejtoria duhet forcuar nga të gjithë ju duhet mbështetur me prioritet. Në qoftë se do të vijë një kërkesë nga Drejtoria e Integrimit Evropian në drejtoritë e tjera, tek institucionet, te sektorët apo institucionet e varësisë ajo duhet trajtuar me prioritet. Përgjigjja dhe angazhimi ndaj asaj kërkese duhet të jetë përpara një koncesioni, leje apo licencë, ndoshta edhe përpara ndonjë kërkese që vjen nga ministri”, - tha Prifti. Sipas ministrit, duhet më shumë kujdes me koncesionet dhe biznesin, ndërsa qeverisja duhet bërë më transparente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›