E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau për pronën, më pas festoi Vitin e Ri

07/04/2010 Prokuroria mbyll hetimet për të pandehurin Ferhat Cullhaj nga fshati Grorë

67-vjeçari pranon krimin. “E vrava se më shau nga nëna”

TIRANE- Ferhat Cullhaj 67 vjeç është marrë i pandehur nga Prokuroria, pasi ai ka vrarë me armë të forta shtetasin Shefki Grori dhe pas kryerjes së krimit autori ka shkuar në shtëpi, ku ka festuar me familjarët natën e Vitit të Ri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e fundit të vitit 2009, ku pas një sherri për bagëtinë viktima dhe autori kanë shkëmbyer fjalë të ndërsjella, duke u sharë nga nëna. Shefki Grori, edhe pse jetonte në Tiranë, prej disa kohësh ishte transferuar në fshatin Grorë, ku jetonte pranë pronave të tij. Më datë 25.12.2009 ai ishte rikthyer disa ditë pranë familjes ku kishte marrë ushqime dhe disa para që do t’i nevojiteshin deri më datë 31, datë në të cilën ai u kishte premtuar të afërmve se do të vinte për të kaluar bashkë natën e Vitit të Ri. Por Shefki Grori nuk erdhi në shtëpi më datë 31 dhjetor dhe kjo gjë i alarmoi të afërmit e tij, të cilët u kanë kërkuar fshatarëve të tjerë të interesohen për të moshuarin, por edhe pas kontrollit në banesën ku ai jetonte, nuk kishte asnjë të dhënë se ku mund të kishte shkuar Grori. Më datë 03.01.2010, pasi në këtë ngjarje ishin përfshirë dhe forcat e policisë, janë hedhur dyshimet e para për ndonjë veprim kriminal, e fillimisht është dyshuar te disa të afërm të viktimës me të cilët herë pas here kanë pasur konflikte për problemin e një toke. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se më datë 31 dhjetor 2009, rreth orës 10:00, ditën kur viktima duhej të kthehej në shtëpi, i pandehuri ka nxjerrë dhitë në kullotë dhe pas pak ka vënë re viktimën tek po ia dëbonte dhitë dhe njëkohësisht shante këtë të fundit me fjalë të rënda në nderin dhe dinjitetin e familjes së tij. Pas disa replikash me njëri-tjetrin për këto sharje, dy personat janë acaruar së tepërmi dhe i pandehuri Cullhaj pretendon se viktima ka tentuar ta qëllojë atë me një shkop, të cilin e ka pasur në dorë dhe ai, duke mos e duruar këtë, e ka goditur një herë të vetme në kokë duke e rrëzuar përtokë. Pas kësaj ai është larguar për në banesën e tij pa gjykuar se çfarë kishte ndodhur me bashkëfshatarin e tij dhe pasi kishe kryer të gjitha ritualet e Vitit të Ri, është njoftuar për rastin në fjalë vetëm kur ka marrë vesh nga bashkëfshatarët e tij se nuk po gjendej Shefki Grori.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›