E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau taksistin 11 vjet më parë, në pranga 29-vjeçari

Drejtues të policisë pohojnë se hetimet për ngjarjen e 11 viteve më parë, nisën në mars të vitit 2008. Gjatë hetimeve intensive, u arrit të grumbulloheshin provat e plota që fajësojnë të ndaluarin. 

VLORE-Policia e Vlorës ka identifikuar 29-vjeçarin Erjon Katiajn, lindur në fshatin Velçë dhe banues në Vlorë, si autor të një vrasje të ndodhur 11 vjet më parë dhe ka bërë dje arrestimin e tij. "Që prej një viti që e kemi rihapur si çështje së bashku me Prokurorinë e Vlorës kemi mbledhur prova të pakundërshtueshme se 29-vjeçari Erjon Katiaj është autori i vrasjes së taksistit Mustafa Caushaj më 1998, pas grabitjes së kryer", - janë shprehur drejtues së policisë së Vlorës. Sipas policisë, 29 vjeçari është arrestuar për vjedhjen me armë me pasojë vdekjeje. Bëhet fjalë për vrasjen e Mustafa Caushaj, ndodhur në 16 janar 1998, në vendin e quajtur 'Jonufër', në aksin rrugor Vlorë-Orikum, ku viktima Caushaj ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij që e përdorte si taksi. Burimet policore konfirmojnë se Caushaj është ndalur nga Katiaj, i cili në atë kohë ka qenë vetëm 18 vjeç dhe pasi është grabitur, është qëlluar nga ky i fundit me armë. Pas vrasjes, Katiaj është arrestuar dhe për vepra të tjera penale, por kishte arritur t'i shpëtonte arrestimit për më shumë se 11 vjet. Menjëherë pas arrestimit, Katiaj është shoqëruar në mjediset e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Vlorë, në funksion të vazhdimit të hetimeve për aktivitetin e tij kriminal.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›