Vrau të dashurën, lihet në burg, 31-vjeçari Ilirjan Selmani mohoi krimin e rëndë në Gjykatë

Ilirjan Selmani, 31-vjeçari, i arrestuar për vrasjen brutale të 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, u la këtë të enjte ne burg nga Gjykata e Korçës.
Selmani mbërriti në Gjykatë i shoqëruar nga forca të shumta policie. I akuzuar për vepren e rëndë penale vrasje për shkak të rrethanave familjare, 31-vjeçari ndryshe nga ç’kishte deklaruar në polici, mohoi kategorikisht të jetë autori i vrasjes si dhe hodhi poshtë faktin se ai ka bashkëjetuar me gruan.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe avokati i cili i ka kërkuar gjykatës të mos marrë masë sigurie për 31-vjeçarin pasi sipas tij prokuroria nuk arrin të provojë se Selmani është autor i vrasjes.
Por nga ana tjetër, organi i akuzës paraqiti dy prova kryesore para trupit gjykues: njollat e gjakut që janë gjetur në një palë pantallona të gjetura në një kazan mbetjesh urbane që ndodhen fare pranë banesës së viktimës që i përkasin Selamnit si dhe pamjet filmike ku dallohet 31-vjeçari që hyn e del nga banesa.
Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë me parë.
Në dëshminë para policisë, Ilirjan Selmani tha se kishte një lidhje tre-vjeçare me viktimën dhe se, pavarësisht diferencës në moshë, ai e donte, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre ishte e trazuar nga xhelozia, alkooli dhe dhuna.
31-vjeçari besohet se e ka goditur me thikë disa herë Kozeta Teçon pas një grindjeje, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Më pas ai ka tentuar të zhdukë gjurmët duke i vënë flakën banesës./vizionplus.tv