E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret të riun, grindja për një femër

23/08/2010 Autor një 43-vjeçar, kishte lidhje dashurie me ish- të fejuarën e viktimës

LIBRAZHD -Një 28-vjeçar është ekzekutuar me pistoletë pas një debati në një nga lokalet e komunës Qukës në rrethin e Librazhdit. Krimi i vrasjes u regjistrua në mesnatë në një lokal në afërsi të rrugës nacionale Librazhd-Përrenjas tek ura e Bushtricës. Konflikti mes dy personave ka përfunduar në të shtënat e armës drejt 28-vjeçarit Artan Bardhoshi, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Autori i krimit 43-vjeçari Bledar Çela ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është kapur disa minuta më vonë nga agjentët e policisë jo shumë larg vendit të krimit. Autori 43-vjeçar është vënë në pranga për krimin e vrasjes, ndërkohë që një grup hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes për kryerjen e procedurave hetimore. Burime të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se ngjarja ka ardhur pas një konflikti për motive të dobëta. Shkak është bërë një femër me të cilën viktima kishte qenë i fejuar rreth një vit më parë e ishte ndarë duke u lidhur së fundi me 43-vjeçarin Çela. Autori i krimit kishte deklaruar se ishte shqetësuar disa herë në telefon nga viktima dhe për këtë ishte nxehur e kishte shkuar në lokalin ku ai qëndronte. Duket se grindja dhe gjaknxehtësia kanë sjellë edhe krimin e vrasjes. Ndërkohë familjarët e viktimës pasi kanë përcjellë për në banesën e fundit trupin e pajetë të 28-vjeçarit, familjarë dhe të afërm të të riut Artan Bardhoshi me banim në komunën Qukës kanë vendosur të protestojnë duke bllokuar rrugën nacionale për disa minuta.

Ngjarja

Gjithçka ka ndodhur pak minuta para mesnatës në një lokal afër urës së Bushtricës në pronësi të një banori të zonës. Sipas dëshmitarëve, dy personat Bledar Çela me banim në Librazhd dhe Artan Bardhoshi në fshatrat e Librazhdit kanë filluar të debatojnë fillimisht me fjalë fyese dhe më pas janë konfrontuar fizikisht. Sherri është vazhduar nga 43-vjeçari që në një moment gjaknxehtësie ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar 28-vjeçarin. Mësohet se për të riun nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi dhe ndërhyrja për transportin në spital ka qenë e kotë. Ndërkohë autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka mundur të shkojë larg pasi pak minuta më vonë është arrestuar nga policia. Sipas policisë, 43-vjeçari Bledar Çela është pronar i një lokali në qytetin e Pogradecit, si dhe i një rezervati peshku në fshatin Xhyrë të komunës Hotolisht. Personi i akuzuar për vrasje ka kërkuar praninë e një avokati dhe nuk ka lëshuar asnjë dëshmi për krimin e kryer. Nga ana e policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës material gëzhojat dhe pistoleta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›