Vriten 10 fëmijë në Siri

Sipas aktivistëve në Siri, forcat qeveritare kanë lëshuar bomba thërrmuese në një park fëmijësh, duke vrarë 10 prej tyre. Një video e postuar në internet tregon trupa të vegjlish në tokë, me nënat e tyre duke vajtuar mbi ta.
Sipas BBC, ngjarja ka ndodhur në Deir al-Asafir, në lindje të Damaskut.
Luftimet intensive po vazhdojnë në kryeqytetin sirian. Në muajt e fundit ka pasur shumë akuza se qeveria e Sirisë po përdor bomba thërrmuese në këtë konflikt, por këto akuza janë përgënjeshtruar.
“Të gjithë ata që u vranë nga ky sulm nuk ishin më shumë se 15 vjeç”, tha një aktivist për Reuters.
Ndërsa një grup tjetër aktivistësh bën të ditur se vetëm ditën e diel në Siri ka pasur 117 viktima, ndër të cilët 14 fëmijë.