E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vriten 7 ushtarë turq në kufi me Irakun

Të paktën shtatë ushtarë turq janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në një pritë të ngritur nga rebelët kurdë.

Lajmin e bën të ditur televizioni shtetëror turk, sipas të cilit sulmi ka ndodhur në Juksekova, në afërsi të kufirit me Irakun dhe Iranin.

Pas ngjarjes, trupa ushtarake tokësore dhe helikopterë luftarakë po kontrollojnë zonën në kërkim të atentatorëve, informon organi mediatik.

Disa mijëra rebelë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit mendohet se janë vendosur në shpellat malore në veri të Irakut.

Ndërkohë, burime nga forcat e sigurisë thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se rebelët kishin kaluar kufirin për të kryer sulmin në postoblloqet ushtarake dhe më pas janë tërhequr për në Irak.

Luftimet mes PKK-së dhe forcave të armatosura turke janë intensifikuar vitin e fundit në jug-lindje të Turqisë, ndërkohë që më parë kurdët kanë kryer atentate edhe në zona të tjera të vendit.

Një bombë e fuqishme që shpërtheu në shtator në kryeqytetin Ankara duke vrarë tre persona dhe plagosi 15 të tjerë. Dhjetëra mijëra persona kanë vdekur që kur PKK mori në dorë armët në vitin 1984.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›