Vriten dy rivalë të Hugo Chavezit
Geison Valero, i Partisë së Drejtësisë dhe Omar Fernandez, një deputet i pavarur, mbetën të vrarë, kur një person i armatosur hapi zjarr me breshëri ndaj tyre.
Politikanët ndodheshin në krahinën e Barinasit, ku do të mbanin një tubim në mbështetje të kundërshtarit të Presidentit Chavez, Henrique Capriles.
Barinas, vendi ku ka lindur dhe është rritur Hugo Chavez, dallohet për mbështetjen e fortë që i jep presidentit autoritar.
Sipas medieve vendase, si rrjedhojë e antipatisë për opozitën, mbështetës të partisë në pushtet dolën për të bllokuar mbërritjen e politikanëve, të cilët u qëlluan pasi dolën nga mjeti i tyre dhe tentuan me këmbëngulje që të vazhdonin rrugën e tyre.
Chavez, njeriu që drejton Venezuelë që prej vitit 1999, konfirmoi pjesëmarrjen e tij në zgjedhje për një mandat të ri, ndonëse një vit më parë u diagnostikua me kancer.
Pavarësisht kriminalitetit të lartë dhe abuzimit me të drejtat e njeriut, reformat sociale të Chavez kanë bërë që ai të ketë një popullaritet të lartë në vend, duke detyruar 30 parti të opozitës që të bashkoheshin së bashku rreth emrit të Capriles në këto zgjedhje.