Vriten për gjakmarrje motër e vëlla
Hasan Puci, 65-vjeç, merr hak për dy djemtë e tij, duke vrarë në Kodër-Kamëz Mimoza dhe Bilbil Fehatin
Viktimat po ktheheshin nga një vizitë për festa. Autori pas arrestimit: Mora hakun e dy djemve të mi
TIRANË- Plumbat e gjakmarrjes nuk i kanë kursyer jetën një vajze të re dhe vëllait të saj, vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Vrasja e dyfishtë ndodhi pasditen e djeshme, kur atmosfera e festave ishte ende e pranishme, në lagjen nr.1 në Kodër Kamëz. Bilbil Ferhati, 35-vjeç dhe Mimoza Ferhati, 24–vjeçe, banues në Bathore janë qëlluar me pistoletë teksa po ktheheshin nga një vizitë që kishin kryer me rastin e festave tek të afërmit e tyre. Efektivët e komisariatit të policisë nr.5, të sinjalizuar për vrasjen mbërritën menjëherë në vendin e krimit. Policia bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, brenda pak minutash. Hasan Puci, 65-vjeç, lindur në Dibër e banues në Bathore është i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, ndaj të cilit u mor masa e arrestit. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Njëri prej vëllezërve të viktimave ka qenë i implikuar katër vjet më parë në vrasjen e dy djemve të Hasan Pucit e për policinë, ky ishte motivi i krimit të djeshëm.
Mesditën e djeshme, motër e vëlla kishin shkuar për vizitë tek të afërmit e tyre. Pasi kanë përshëndetur kushërinjtë, Bilbil dhe Mimoza Ferhati janë larguar drejt banesës së tyre me një automjet. Duket se asnjërit prej tyre, aq më pak Bilbilit që sapo ishte kthyer nga Anglia për të kaluar Vitin e Ri me familjen nuk u kishte shkuar ndërmend se një burrë i moshuar, i armatosur kishte vendosur t'i vriste. Nga ana tjetër, Hasan Puci duket se ka jetuar për këtë moment hakmarrjeje. Në pamundësi për të gjetur Bashkim Ferhatin, ai i ka zënë pritë vëllait dhe motrës së tij, për të marrë hakun e dy djemve të tij të vdekur katër vjet më parë. Sipas skenës së krimit, duket se Hasan Puci e kishte menduar mirë krimin. Ai kishte zënë pritë vetëm pak metra larg banesës së kushërinjve të familjes Ferhati dhe po priste daljen e tyre nga porta. Sapo ka parë të afrohej automjeti, Puci ka nxjerrë nga xhepat e brendshme të xhupit një pistoletë dhe ka qëlluar në sediljen e parë të pasagjerit, ku ndodhej 24-vjeçarja Mimoza Ferhati, duke e lënë atë të vdekur në vend. Gjaku i saj ka spërkatur të vëllanë, i cili i tmerruar ka dalë menjëherë nga makina për t'u kundërpërgjigjur. Mësohet se 35-vjeçari Ferhati mbante me vete një pistoletë, të cilën e ka rrëmbyer menjëherë, duke qëlluar në drejtim të autorit. Por fati ka qenë në anën e 65-vjeçarit, i cili i ka shpëtuar paq plumbit ndërsa ka qëlluar në drejtim të 35-vjeçarit Ferhati, duke e plagosur rëndë atë. Megjithëse u sigurua vetëm për vdekjen e vajzës dhe jo për të vëllanë e saj, Hasan Puci është larguar për t'u shpëtuar prangave të policisë.
Bilbil Ferhati ka mundur të ecë më këmbë disa metra larg, i plagosur dhe më pas është shembur përtokë i vdekur. "Mora hakun e djemve të mi"- mësohet të ketë justifikuar vrasjen e dyfishtë Hasan Puci, ndërsa policia i mbërthente prangat. 65-vjeçari u kap nga efektivat e komisariatit të policisë nr.5, në hyrje të Institutit Bujqësor të Kamzës. Të arrestuarit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale pistoleta me të cilën kreu vrasjen. Ai e kishte fshehur armën e krimit në xhepat e brendshme të xhupit. Ndërsa nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia bllokoi një tjetër pistoletë tip TT, e cila posedohej nga Bilbil Ferhati. Për vrasjen e dyfishtë, zyra e vrasjeve në policinë e Tiranës nisi menjëherë hetimet për të zbuluar motivin. Në bazë të deklarimeve të autorit të ngjarjes, policia u shpreh se krimi është kryer për motive hakmarrjeje. "Më datë 16 prill të vitit 2004 pas një grindjeje për motive të dobëta në ambientet e një lokali në Bathore, vëllai i viktimave Bashkim Ferhati, në bashkëpunim me persona të tjerë është konfliktuar dhe më pas ka goditur me thikë duke u shkaktuar vdekjen Ferit dhe Sefedin Pucit. Këta janë djemtë e Hasan Pucit autorit të vrasjes së dyfishtë të ndodhur dje",- bëri të ditur fill pas ngjarjes zëdhënësja e policisë së kryeqytetit. Për ngjarjen e vitit 2004 u arrestuan Kujtim dhe Petrit Gjeta, si autorë të vrasjes së Ferit dhe Sefedin Pucit, ndërsa Bashkim Ferhati u larguar nga vendi i krimit dhe është në listën e personave në kërkim, sot e kësaj dite. Ai është dënuar në mungesë me 21 vite burg për vrasjen e dy djemve të Hasan Pucit.
ATENTATI
Hasan Puci i ka zënë pritë Bilbil dhe Mimoza Ferhatit, teksa këta kishin shkuar tek një i afërm për Vitin e Ri. Motër e vëlla kanë hipur në makinë për t'u kthyer në shtëpi, por Puci ka qëlluar nga një distancë e afërme vajzën
PISTOLETAT
Gjatë ditëve të festave, Bilbil Ferhati lëvizte me një pistoletë në xhep, duke e ditur se kishte probleme gjakmarrjeje, por 65-vjeçari ka qenë më i shpejtë se ai. Pasi i kanë vrarë të motrën, Bilbili ka nxjerrë armën, por mbeti i vdekur
MOTIVI
Një rrip toke është bërë shkak për tragjeditë e dy familjeve Puci dhe Ferhati në Kodër-Kamëz. Në vitin 2004 janë vrarë djemtë e Hasan Pucit, ndërsa dje ky mori hak duke vrarë motën dhe vëllanë e të dënuarit në kërkim
Imer Billa, i afërm i familjes Ferhati tregon se prindërit e Bilbilit dhe Mimozës ndodheshin për vizitë në shtëpinë e tij
"Prindërit i gjetën fëmijët
të vrarë në mes të rrugës"
TIRANË- Të gjithë ata që dëgjuan krismat e pistoletës, i ngatërruan me zhurmat që shkaktojnë fishekzjarrët e shumtë në këto ditë festash. Të njëjtën gjë kanë menduar edhe prindërit e Mimoza dhe Bilbil Ferhatit, që ndodheshin vetëm pak metra larg vendit ku dy fëmijët e tyre po jepnin shpirt. Riza Ferhati bashkë me gruan e tij kishin qenë për vizitë tek motra dhe teksa po ktheheshin për në banesë, makina me të cilin po udhëtonin është bllokuar nga turma e njerëzve të grumbulluar rreth trupave të fëmijëve të tyre. Sapo kanë dalë nga automjeti, Riza Ferhati ka njohur vajzën e tij, megjithëse ajo ishte e mbuluar nga gjaku. Nuk kanë pasur as kohë e as fuqi të mbledhin veten, pasi brenda pak sekondash panë pranë së Mimozës edhe të birin, që sapo kishte ndërruar jetë. "Dëgjuam krisma, por na ngjasuan me fishekzjarre dhe nuk na shkoi mendja kurrë se ishte zhurmë pistolete dhe aq më keq të ishin vrarë dy të afërmit tanë'- tregon për gazetën "Shekulli" Imer Billa, i cili sapo kishte përcjellë nga banesa e tij dy prindërit e viktimave, të cilët i kishin ardhur për vizitë, kur mësoi për ngjarjen e rëndë.
Zoti Billa, si e mësuat vrasjen e dy të afërmve tuaj?
Një vajzë e vogël erdhi në shtëpinë time dhe më tregoi se pak metra më larg, ishte vrarë një vajzë. Atëherë m'u kujtuan krismat, të cilët dëgjova teksa po përcillja prindërit e dy të vrarëve. Kur dëgjuam krismat menduam se ishin fishekzjarre, por më vonë mësova se ishin krisma pistolete, të cilat kishin shkaktuar një tragjedi.
Prindërit e viktimave kishin ardhur tek ju për vizitë?
Po. Unë këtë të diel martoj vajzën dhe meqë në të njëjtën datë, familja Ferhati kishte edhe një tjetër dasmë, vendosën të pinin kafetë, pasi nuk mund të merrnin pjesë në dasmën time. Ata u larguan nga shtëpia ime me një automjet. Nga njerëzit mësova se vetëm pak metra larg shtëpisë time, makina me të cilin po udhëtonin prindërit e dy të vrarë është bllokuar. Turma e njerëzve dhe prania e shumë policëve e ka bërë të pamundur kalimin e makinës. Sapo kanë zbritur nga makina, Riza Ferhati ka parë vajzën e tij të gjakosur dhe të vdekur në sediljen e parë të makinës.
Si reaguan më pas?
Sipas dëshmive mësova se Riza Ferhati kishte pyetur policinë për djalin, por ata i kishin thënë se e kanë çuar në spital, pasi ishte plagosur dhe nuk kishte vdekur. Por në fakt djali ndodhet pak metra larg makinës, i vdekur. Babai i dy fëmijëve të vrarë ka një zemër shumë të fortë. Ai ka shkuar në shtëpi me këmbët e tij dhe ka mundur të presë edhe njerëzit për ngushëllime.
A keni dijeni se ku kanë qenë Bilbil dhe Mimoza Ferhati para se të vriteshin?
Ata kishin shkuar për vizitë tek disa të afërm të tyre dhe kur po ktheheshin në banesë, ka ndodhur edhe gjëma.
Keni dijeni për motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë?
Jo. Nuk e di për ç'arsye mund të ketë ndodhur. Thonë për hakmarrje, por femra nuk vritet për gjak... Bisedoi: K.Kotorri
TRAGJEDIA
Motër e vëlla, për pak
ditë jashtë Shqipërisë
TIRANË- Bilbil Ferhati kishte ardhur nga Anglia për të festuar festat e fundvitit me prindërit, ndërsa Mimoza kishte planifikuar të nisej nuse drejt Italisë, ku e priste i fejuari. Por motër e vëlla humbën jetën pranë njëri-tjetrit, nga plumbat e hasmit të tyre 65-vjeçar. Sipas të afërmëve të viktimave, festat e fundvitit e kishin detyruar Bilbil Ferhatin të linte vetëm tre djemtë dhe bashkëshorten e tij në Angli, por duke e ditur rrezikun që i kanosej, ai lëvizte me një pistoletë në xhep. Ai jetonte prej vitesh në Angli dhe dispononte dokumente të rregullta. Ndërsa motra e 35-vjeçarit, Mimoza Ferhati kishte planifikuar të qëndronte edhe për pak ditë pranë familjes së saj për t'u nisur më pas drejt Italisë, për t'u bashkuar me të fejuarin e saj. Ky i fundit jetonte në Itali dhe në pamundësi për të qëndruar në Shqipëri, ai kishte mundur të siguronte një vizë për nusen e tij, për të cilën mësoi dje se një plumb në kokë i kishte marrë jetën. K.K
Vëllai i viktimave, i dënuar me 21 vjet burg në mungesë për vrasjen e Ferit dhe Sefedin Pucit
Si u vranë dy djemtë e
Pucit për një rrip tokë
TIRANË- Rreth katër vjet më parë, më 16 prill të vitit 2004, Hasan Puci përcolli për në banesën e fundit dy djemtë e tij. Ferit dhe Sefedin Puci u qëlluan me thikë dhe me mjete të forta nga dy vëllezërit Kujtim dhe Petrit Gjeta, të cilët ishin fqinjë me ta. Në këtë ngjarje ishte i implikuar dhe Bashkim Ferhati, për të cilin do të paguanin me jetë motra dhe vëllai i tij emigrant. Ngjarja e cila ndodhi ditën e djeshme në Kodër Kamëz kishte për motiv hakmarrjen e 65-vjeçarit Hasan Puci për dy djemtë e tij të vrarë. Plani për hakmarrje kishte rreth katër vjet që thurej, që prej kohës kur Hasan Puci varrosi dy djemtë e tij. Konflikti që shkaktoi 4 të vrarë nga dy familjet filloi kohë më parë, kur vëllezërit Puci nga Dibra dhe vëllezërit Gjeta nga Kukësi nuk kishin arritur të gjenin gjuhën e përbashkët për ndarjen e një copë toke. Megjithëse të dyja palët ishin betuar se këtë rrip toke do ta bënin të tyren, me hir apo pahir, duket se gjakrat ishin shuar pas ndërhyrjes së policisë dhe pajtuesve duke e qetësuar situatën për pak kohë. Në fakt, të dyja familjet kishin deklaruar se nuk do të konfliktoheshin më për këtë copë tokë, por në fakt ndodhi e kundërta. Pas pak ditësh, rrëzimi i një arke që ndante dy dyqanet ka qenë sebepi i një sherri që do të denigronte në gjakderdhje. Arka me shishe birre bosh që qëndronte gjithmonë në mes të rripit të tokës është rrëzuar nga ana e dyqanit të vëllezërve Puçi. Të dy palët, në gjaknxehtësi e sipër kanë filluar të grinden. Ferit dhe Sefedin Puci kanë marrë plagë të rënda të shkaktuar me thikë e më pas kanë gjetur vdekjen njëri pas tjetrit. Petrit e Kujtim Gjeta, vëllezër, u arrestuan nga policia nën akuzën e vrasjes së dyfishtë. Më pas policia zbuloi se në vrasjen e dyfishte ishte i implikuar dhe Bashkim Ferhati, në familjen e të cilit katër vjet më vonë do të ndodhte një tragjedi me të njëjtat përmasa si ajo në familjen Puci. Kryefamiljari i kësaj familjeje qëlloi për vdekje vëllanë dhe motrën e Bashkim Ferhatit, duke shkaktuar një tjetër tragjedi të rëndë, në emër të gjakmarrjes. K.Kotorri