Vritet 46-vjeçari, nuk dihet autori i krimit

Rexhë Raci., 46-vjeç, nga fshati Ujmir i Klinës, punëtor ndihmës në shkollën e fshatit, është vrarë sot në orët e hershme të mëngjesit nga persona të panjohur. Sipas policisë së Kosovës, vrasja ka ndodhur në afërsi të shkollës së fshatit Ujmir.
“Efektivet policor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar rastin se personi ishte pa shenja jete. Policia ka ftuar edhe mjekun kujdestar i cili në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e shtetasit të Kosovës, Rexhë R. i moshës rreth vjeç 46, nga fshati Ujmir, i cili në dukje sipërfaqësore ishte i qëlluar me armë zjarri në pjesën e epërme të trupit”, thotë Xhevat Ibra, zëdhënës Rajonal i Policisë në Pejë.
Njësitet përkatëse të hetimeve në nivel lokal dhe rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i çështjes, me mbikëqyrjen e të cilit është bërë edhe këqyrja e vendit të ngjarjes.
Po ashtu hetuesit kanë ndërmarrë edhe veprime tjera operativo-hetimore, dhe në ketë rast kanë intervistuar disa persona dhe familjarë të viktimës, njëherit janë në vazhdim të hetimit për të identifikuar dhe kapur kryesin e mundshëm të vrasjes.
Oficerët hetues të këtij rasti intenzivisht janë duke mbledhur prova dhe dëshmi për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me ketë vrasje./Indeksonline/