E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet berberi i burgut

Misterioze vdekja e 50-vjeçarit Gëzim Shullani, që u gjet pa jetë në afërsi të ish-ambasadës jugosllave

TIRANË - Pas disa orësh hetime, policia e Tiranës mundi të identifikojë kufomën e një mashkulli që u gjet e braktisur orët e para të mëngjesit të djeshëm. Gëzim Shullani, 50 vjeç, nga qyteti i Durrësit, u gjend i vrarë në zonën e ambasadave në rrugën e “Durrësit”. Rreth orës 5.30 të mëngjesit, në afërsi të ish-ambasadës jugosllave në rrugën e “Durrësit”, banorët e zonës panë një trup të shtrirë në anë të rrugës. Pasi nuk u është dashur shumë të kuptojnë që kanë të bëjnë me një kufomë, është lajmëruar menjëherë komisariati më i afërt i policisë, ai numër 3. Pasi kanë arritur shpejt në vendin ku u gjet trupi, efektivat kanë nisur punën për gjetjen e identitetit të viktimës e më pas për zbardhjen e ngjarjes. Nga burime zyrtare policore mësohet se që në momentet e para të këqyrjes së vendit të ngjarjes, është dyshuar për vrasje, pasi në pjesën e kafkës të Shullanit u gjetën shenja dhe hematoma, nga lindën edhe dyshimet se nuk kanë të bëjë me një vdekje natyrale. Burimet bëjnë të ditur se në rrobat e viktimës nuk është gjetur as edhe një dokument personal që do të bënte të mundur identifikimin, por pas një pune të mirëorganizuar, Seksioni i Krimeve Kundër Jetës ka bërë të mundur që të gjejë identitetin e viktimës dhe të nisë punën drejt zbardhjes së shkaqeve që mund të kenë çuar autorin ose autorët drejt vrasjes. Menjëherë pas identifikimit, mësohet se specialistët e seksionit do të marrin në pyetje familjarët e 50-vjeçarit, nëse njeriu i tyre ka pasur ndonjë konflikt të mundshëm me ndonjë person, konflikt i cili ka nxitur edhe vrasjen. Sipas burimeve zyrtare pranë policisë së Durrësit, bëhet e ditur se viktima ka qenë berber i burgut të qyteti të tij deri në vitet 1993 e se është banor i lagjes numër 7. Nga hetimet paraprake të grupit hetimor, është konstatuar se shkak i vdekjes të jenë bërë goditjet me mjete të forta në pjesën e prapme të kokës. Disa orë pas këqyrjes në vendin ku u gjet trupi, policia e ka transportuar Shullanin për në morgun e Tiranës, ku i është bërë edhe ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të japë dhe versionin zyrtar se çfarë mund ta ketë shkaktuar vdekjen dhe nëse trupi është vrarë ose jo në vendin ku është gjetur. Deri tani, pista zyrtare në të cilën po hetohet, është ajo e një vrasjeje të mundshme, nisur nga plagët që kufoma ka në kokë.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›