E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet deputeti, Topi: Ngjarja, akt kriminal i pashembullt

Presidenti Bamir Topi e cilësoi si ngjarje jashtëzakonisht të rëndë është një akt kriminal i pashembullt që duhet zbardhur pa humbur kohë, duke i dhënë autorëve përgjigjen e merituar. 

TIRANE -Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dërgoi dje ngushëllimet e tij familjarëve të deputetit socialist, Fatmir Xhindi. “Me tronditje e hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë, njëkohësisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi, një ngjarje tragjike që tronditi jo vetëm klasën politike, por mbarë opinionin publik në vendin tonë”, - shkruhet në mesazhin e Presidentit.

“Kjo ngjarje jashtëzakonisht e rëndë është një akt kriminal i pashembullt që duhet zbardhur pa humbur kohë, duke i dhënë autorëve përgjigjen e merituar”, - shkruan Presidenti. “Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju, por edhe me kolegët e deputetit Xhindi, dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të babait të tre fëmijëve, birit, bashkëshortit e vëllait, që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve për korrektësinë, seriozitetin dhe kontributin profesional e njerëzor”, - shprehet Kreu i Shtetit.
Deputeti socialist Fatmir Xhindi, babai i tre fëmijëve, u vra mbrëmë me 6 plumba kallashnikovi pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›