Vritet me plumb nga automjeti 34-vjeçari
EKZEKUTIMI/ Durim Sinani, babai i tre fëmijëve, është vrarë dje pasdite teksa shkonte në shtëpi
Policia ka identifikuar si autor të krimit 25-vjeçarin Taulant Sallufi, por pa arritur ta vërë në pranga
PEQIN - Ka parakaluar një automjet, por kjo i ka kushtuar jetën. Durim Sinani, 34 vjeç, është vrarë me një plumb në kokë teksa udhëtonte me mjetin e tij në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë, tek superstrada, në afërsi të kthesës së Gjocajt.
Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 17:00, kur babai i tre fëmijëve teksa udhëtonte me mjetin e tij fuoristradë tip BMV me targa TR 4455 R është qëlluar në ecje dhe për pasojë plumbi e ka marrë në pjesën e kokës.
Nga plumbi 34-vjeçari ka humbur drejtimin e mjetit duke u prekur me bordurën anësore. Menjëherë ai është transportuar me ambulancë drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit ku është futur në sallën e operacionit.
Përpjekjet e mjekëve kanë qenë të kota dhe pas rreth një ore Sinani ka gjetur vdekjen në spital. Në pritje pas derës së sallës së operacionit kanë qenë edhe dy prindërit e tij që jetonin në Lisnajë, ku 34-vjeçari kishte qenë për vizitë pak para se të vdiste.
Policia ka identifikuar autorin e krimit i cili rezulton të jetë 25-vjeçari Taulant Sallufi, banor i Peqinit, i cili është shpallur në kërkim. Ndërkohë, për të zbardhur më tej ngjarjen po merren në pyetje tre personat që ishin në makinë me viktimën.
Hetimet
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se një plumb i ka marrë jetën Durim Sinanit teksa ky i fundit po lëvizte me mjetin e tij në aksin Peqin-Rrogozhinë. 34-vjeçari po kthehej pasi kishte qenë tek prindërit e tij në Lisnajë për të shkuar pranë familjes në Golem të Kavajës. Baba i tre fëmijëve kishte një aktivitet privat transporti.
Ai zotëronte disa mjete të tonazhit të rëndë për transport. Konflikti dyshohet se ka ardhur si pasojë e një parakalimi nga ana e viktimës që ka sjellë edhe reagimin e autorit Taulant Sallufi. 25-vjeçari me një armë zjarri e ka qëlluar nga mjeti tjetër teksa ishte në lëvizje.
Goditja ka qenë fatale në pjesën e kokës. Policia rrugore bashkë me atë kriminale kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Në këtë segment mjeti i afruar mjaft me bordurën ka bërë që fillimisht të mendohet një aksident, por më pas është përcaktuar vrasje, e mbështetur kjo dhe nga dëshmitë e tre personave që ishin në automjet me 34-vjeçarin.
Kërkimet
Autori i krimit ka arritur të largohet me shpejtësi. Janë njoftuar të gjitha komisariatet dhe patrulla policie janë vënë në kërkim duke vendosur postblloqe në segmentet nacionale. Ende nuk bëhet i ditur lloji i mjetit dhe targa, por dyshohet se autori e ka fshehur dhe ka ndërruar mjet për të humbur gjurmët. Gjithsesi, agjentët janë vënë në kërkim dhe sipas drejtuesve të policisë brenda pak orëve ai do të arrestohet.
Deri në orët e vona të mbrëmjes dyshohet se shkak për vrasjen ka qenë vetëm një parakalim i gabuar nga viktima, megjithëse nuk hidhet poshtë as versioni i një konflikti të mëparshëm mes dy personave që është finalizuar në këtë takim në segmentin rrugor.
Ndërkohë, të afërmit e 34-vjeçarit bëjnë të ditur se Durimi nuk ishte një person problematik dhe nuk e shohin si shkaktar i ndonjë sherri. Ata kërkojnë të kapet autori e të vihet para drejtësisë, sepse për një ngjarje të tillë ai duhet të dënohet maksimalisht.