Kërcënohet nënkryetari i KZAZ-së në Kamëz
Xhixha bën kallëzim, ndërsa nënkryetari pohon se incidenti nuk ishte serioz, pasi polici ishte i dehur
TIRANË - Një ditë para se qytetarët t'u drejtohen kutive të votimit, në Kamëz është shënuar incidenti i parë, që ka lidhje me procesin zgjedhor. Nënkryetari i KZAZ-së nr. 56 për zonën e Kamzës, ka denoncuar në polici se është fyer dhe ofenduar nga një person që ka qenë i veshur me uniformë të ngjashme me atë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10:30 minuta, kur Komisioni Zgjedhor i Administrimit Zonal (KZAZ) nr. 56 ishte e vendosur në shkollën 9- vjeçare "Ibrahim Rugova", që do të administrojë procesin zgjedhor të Bashkisë Kamëz. N/kryetari i KZAZ-së, Altin Xhixha, pohon se është ofenduar nga një person që, sipas tij, ishte me uniformë policie, por që nuk ka fiksuar në uniformë emrin e policit. Për këtë shkak, Xhixha pohon se ka kallëzuar në polici ngjarjen, ndërsa ka reaguar më pas edhe policia, duke thënë se personi nuk ka qenë efektiv i Policisë së Shtetit. Incidenti në fjalë ka ndodhur në momentet që sapo kishte filluar puna për shpërndarjen nga ky komision i materialëve zgjedhore për qendrat e votimit. Vetë Xhixha tregoi dje për "Shekulli"-n, incidentin me fjalë mes tij dhe personit që e ka ofenduar. Në momentet që Xhixha, përfaqësues i Partisë Socialiste, po hynte në zyrën e tij, në ambientet e shkollës 9- vjeçare, "Ibrahim Rugova", është ndeshur me fjalë ofenduese nga personi që, sipas tij, mbante një uniformë policie të dallueshme. "Unë isha në derën kryesorë të shkollës, rreth orës 10:30 minuta dhe në ato momente vjen një person me uniformë policie, që fillon të fyejë dhe ironizojë bluzën time që mbaja veshur, që ishte me ngjyrë të kuqe. Në këto momente ndërhynë efektivët e tjerë që larguan personin, i cili dukej si i dehur",- shprehet Altin Xhixha. Nënkryetari i KZAZ-së nr. 56 ka kërkuar më pas që efektivat e Komisariatit nr .5 të bëjnë identifikimin e personit që shkaktoi incidentin, por uniformat blu të këtij komisariati janë shprehur se personi në fjalë nuk është punonjës i Policisë së Shtetit. Gjithsesi, Xhixhës, policia i ka marrë një deklarim, për të cilin ai pohoi se është dhënë edhe një kallëzim penal. Ndërkaq, sipas deklarimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, personi ende i paidentifikuar me emër, ka zbritur nga një furgon (taksi) dhe në ato momente ka filluar të debatojë me nënkryetarin e KZAZ-së. Gjithashtu, në reagimin zyrtar të policisë për këtë ngjarje, theksohet se personi që ka ofenduar zyrtarin e komisionit zonal nr. 56, nuk është punonjës i Policisë së Shtetit. Por, për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i KZAZ-së 56, Sokol Ndreu, përfaqësues i Partisë Demokratike, i cili nuk e ka mohuar ndodhjen e këtij incidenti, ndërsa ka shtuar se ngjarja nuk ishte serioze. Sipas tij, gjithçka më pas është zgjidhur dhe me ndërhyrjen e policisë dhe komisioni ka filluar normalisht punën.
OSBE negocion pas incidentit
Për incidentin në fjalë janë interesuar dhe përfaqësuesit e OSBE-së, ku pak minuta pas ndodhjes së incidentit kanë shkuar në ambientet e KZAZ-së për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur. Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është larguar nga ambientet e shkollës 9 -vjeçare të Kamzës, për t'u vendosur përfundimisht në ambientet e Departamentit të Zooteknikës, në Institut. Por, ky komision zonal ka patur dhe disa probleme të tjera gjatë orëve të paradites së djeshme, ku mungesa e gjatë e energjisë elektrike ka bllokuar punën e anëtarëve të komisionit. Ky problem është zgjidhur po dje rreth orës 14:00 dhe KZAZ-ja që administron procesin zgjedhor në Kamëz, ka fillua të shpërndajë materialet zgjedhore për qendrat e votimit.
Xhixha depoziton kallëzim penal
Lidhur me incidentin, nënkryetari i e Komisionit Zgjedhor të Administrimit Zonal (KZAZ) nr. 56, Altin Xhixha, përfaqësues i Partisë Socialiste, ka bërë një kallëzim penal në Komisariatin Nr. 5. Kallëzimi i tij është bërë me pretendimin se është fyer për shkak të detyrës, pikërisht në momentet që po ushtronte detyrën si nënkryetar i KZAZ-së nr. 56. Sipas Policisë së Tiranës, pas kallëzimit penal të depozituar dje rreth drekës, po hetohet intensivisht për të identifikuar personin që ofendoi Xhixhën. Po sipas policisë, po hetohet nëse ky person është apo jo punonjës i policisë, ndërsa dyshohet se mbante një uniformë të Policisë së Burgjeve. Prokuroria e Tiranës do të vazhdojë më tej hetimet për këtë incident, me akuzën e fyerjes për shkak të detyrës.