Vritet ne banese Gentian Beqiraj i ati humb jeten nga tronditja
Ekzekutim mafioz brenda në apartamentin ku ruhej nga policia i një shtetasi me banim në Elbasan. Vdes në spital edhe i ati i tij. Ngjarja ndodhi në katin e pestë të një apartamenti në lagjen “Çlirimi” pranë sportit të vjetër në qytetin e Elbasanit.
Persona ende të pa identifikuar nga policia ekzekutuan me plumba në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit Gentian Beqirin 40 vjeç, i njohur ndryshe edhe me emrin Ardian Meta, brënda në apartamentin që ruhej nga 2 uniforma policie. Disa minuta më vonë ka gjetur vdekjen në spital si pasojë e atakut kardiak edhe i ati i tij Nezir Beqiri.
Ngjarja duket se ka qenë i mirorganizuar deri në detaje. Ndaj Gentian Beqirit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Elbasan kishte vendosur masën e sigurisë së arrestit në shtëpi si i implikuar në vrasjen e një biznesmeni të ndodhur 7 vite më parë në këtë qytet. Por për mungesë provash, gjykata kishte urdhëruar vendosjen e tij në masën e sigurisë së arrestit në shtëpi duke e mbrojtur me policë për 24 orë. Ai ishte i paralizuar si pasojë e një plumbi që kishte marrë në këmbë, ndërsa po tentonte të kalonte në atë kohë kufirin në Sarandë. Vrasësit duket se janë prezantuar si të njohur të viktimës. Ata kanë trokitur tek porta e apartamentit e cila është hapur nga Nezir Beqiri babai i Gentian Beqirit. Sapo kanë hyrë në apartament ata kanë ekzekutuar atë me një plumb në kokë dhe me disa plumba të tjerë në trup. Vrasja duhet të jetë kryer me silensiator pasi nuk janë dëgjuar krisma arme. Më pas janë larguar qetësisht nëpër rrugicën e lagjes aty pranë pa u shqetësuar nga askush.
Policia është njoftuar nga uniformat blu që kryenin shërbimin të cilët kanë dhënë alarmin për kapjen e tyre. Në vendngjarje kanë arritur forca të shumta policie të cilat kanë rrethuar zonën përreth por pa mundur të kapin autorët. Pak çaste më vonë është nisur për në spital Nezir Beqiri i cili sipas mjekëve ka ndërruar jetë për shkak të atakut kardiak.
Në vendin e krimit kanë arritur drejtuesit e drejtorisë së policisë së Elbasanit, ekspertë të kriminalistikës, hetues e prokurorë. Kanë qenë të pranishëm edhe autoritete të larta të Policisë së Shtetit dhe krimeve të rënda. Policia ka shoqëruar 20 autorë të dyshuar të kësaj ngjarje e po punon për identifikimin e vrasësve. Në cilësinë e provës material janë gjendur disa gëzhoja plumbash. Në të njëjtën kohë prokuroria e Elbasanit kanë vënë masën e arrestit për dy punonjësit e policisë, Sami Derstila dhe Neshat Budani të cilët ndodheshin në atë orar në shërbim.