E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja për imunitetet: Neobllokmenët e PS-së po bllokojnë statusin në BE

Tiranë- Partia Demokratike përmes një deklarate për shtyp akuzoi sot rivalët socialistë se kanë nisur sipas saj një fushatë absurde kundër heqjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë në mënyrë që të mbrojnë kupolën e miliarderëve të tyre edhe pse ky veprim mund të bllokojë për të tretin vit rradhazi statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Z.Edi Rama ka angazhuar mediat që kontrollon dhe specialistët e Partisë në një fushatë absurde dhe të diskretituar botërisht kundër heqjes së imunitetit nëpërmjet referendumit popullor si një e drejtë kushtetuese e qytetarëve shqiptarë.

Me këtë qëndrim z.Rama dhe miliardierët imunitarë të Partisë Socialiste që i bllokojnë për të tretin vit me rradhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe perfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrësesi heqjen e imunitetit sepse janë të tmerruar nga origjina e qindra miliarda lekëve të kupolës së Partisë.

Çdo qytetar konstaton se z. Rama dhe zëdhënësit e tij, bllokimin e heqjes së imunitetit dhe të marrjes së statusit të vendit kandidat po e gërshetojnë këto ditë me mbrojtjen fanatike të përditshme të pasurive të miliardierëve në krye të Partisë Socialiste dhe origjinës së këtyre pasurive nga fshehja e taksave, kontrabanda, trafiqet kriminale, ndërtimet pa leje dhe grabitja e pronave”,-tha zëdhënësja për shtyp e PD-së, Silvi Bardhi.

Sipas PD-së kryesocialisti Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë lënë në harresë çështje që sipas demokratëve janë jetike për shqiptarët si rrogat, pensionet, punësimi dhe ndihma ekonomike. Duke shprehur zotimin e saj se qytetarët shqiptarë shumë shpejt do të dëgjohen për çështjen e heqjes apo kufizimit të imuniteteve në referendumin popullor që PD-ja tha se do të mbahet shumë shpejt.

“Udhëheqja e Partisë Socialiste që kundërshton prej 10 vitesh me radhë heqjen e imunitetit dhe tani së fundi bllokoi për të tretin vit me rradhë statusin e vendit kandidat, beson verbërisht se imuniteti  është si të thuash, këmisha e tyre  e lindur që i qëndron në AND-në e neobllokmenëve të trashëguar nga etërit e tyre, prandaj dhe ata që e ndjejnë veten si të lindur me imunitet nuk mund të pranojnë kurrë ta heqin atë dhe të barazohen para ligjit me qytetarët e thjeshtë, pavarësisht dëmit të pallogaritshëm që i bëjnë vendit, para së gjithash duke bllokuar statusin e vendit kandidat dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian.

Partia Demokratike e konsideron heqjen e imunitetit jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit që përdorin si mburojë murin e imunitetit. Në këtë kontekst mazhoranca mbetet e sigurt dhe e bindur se do të jenë qytetarët shqiptarë që në referendumin popullor me votën e tyre të lirë do të shembin së shpejti murin e imunitetit që i ndan ata nga deputetët, qeveritarët dhe gjykatësit e tyre, do të shndërrojnë Shqipërinë në vendin e qytetarëve të barabartë para ligjit në një vend me të ardhme të sigurt Europiane, të cilën ata e meritojnë’,-thuhet më tej në deklaratën e selisë blu.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›