E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në mes të qytetit 21-vjeçari

Hakmarrja/ I riu Elson Vukatana është qëlluar gjashtë herë me pistoletë teksa hynte në pallatin ku banonte


Policia dyshon për hakmarrje. Por dëshmitarët okularë nuk kanë dhënë ndihmë në identifikimin e autorit


SHKODËR - Vritet me armë zjarri pistoletë një 21-vjeçar me banim në qytetin e Shkodrës. Elson Eqerem Vukatana, banues në lagjen "Daniel Matlia" të Shkodrës është qëlluar me pistoletë 6 herë teksa hynte në hyrjen e pallatit ku banonte. Ngjarja ka ndodhur në 13:45 në vendin e quajtur Qaf Hardhi në rrugën "Halit Bajraktari" ku ka mjaft lëvizje pasi është rrugë lidhëse e disa lagjeve të qytetit të Shkodrës.


Viktima ka qenë i vetëm në momentin kur është qëlluar, ndërsa autori akoma nuk është identifikuar, ndonëse policia ka shoqëruar mjaft persona përfshirë dhe dëshmitarë okularë. I dëmtuari është dërguar me shpejtësi drejt spitalit të Shkodrës, por ka vdekur rrugës.


Në trupin e tij, sipas policisë, janë gjetur gjashtë plumba ndërsa askush prej personave që kanë parë ngjarjen, nuk ka dhënë shpjegime rreth saj. Sipas dëshmitarëve okularë, sapo kanë dëgjuar të shtënat, ata janë larguar ku kanë mundur dhe nuk kanë e kanë identifikuar autorin.

***

Viktima Elson Vukatana ka qenë i përfshirë në një ngjarje të ndodhur një vit më parë. Më 06.03.2009, rreth orës 19:00, në një parking automjetesh në lagjen "Daniel Matlia", rruga "Halit Bajraktari" të qytetit të Shkodrës, ai është përfshirë në një konflikt mes dy shtetasve që po grindeshin ku Elson Vukatana ka ndërhyrë për t'i ndarë.


Por gjatë këtij veprimi, njëri prej personave, shtetasi Flamur Kalvari, është konfliktuar dhe me Elson Vukatanën dhe ky e ka goditur dy herë me një thikë biçak që e mbante në tufën e çelësave, duke e plagosur rëndë.


Ai është vetëdorëzuar në polici më 17.06.2009 ku është akuzuar për plagosje të rëndë me dashje. Gjykata e Shkodrës, me vendimin nr.430 të datës 03.11.2009 e ka deklaruar fajtor Elson Vukatanën dhe e ka dënuar me tre vjet burgim, ku duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi përfundimtar ka qenë dy vjet.


Gjykata duke u mbështetur në rrethana lehtësuese, si: faktin që plagosjen Vukatana e kishte bërë nën ndikimin e veprimeve të padrejta të viktimës, pendimin e thellë dhe dorëzimin e tij, faktin që ka qenë i padënuar dhe jo problematik, si dhe atë që Elson Vukatana dhe i dëmtuari prej tij Flamur Kalvari i kanë normalizuar marrëdhëniet, ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pjesën e mbetur të tij duke e vënë në provë për 5 vjet Vukatanën. Kështu, viktima e djeshme Elson Vukatana ka qëndruar në burg vetëm për periudhën e paraburgimit.

***

Policia po heton disa pista mes të cilave është dhe ajo e hakmarrjes nga ana e Flamur Kalvarit, personit të plagosur rëndë nga viktima, i cili ka qenë edhe ky i dënuar për armëbajtje pa leje dhe kanosje, lidhur me një tjetër ngjarje.


Kalvari ka vuajtur dënimin me 1 vit burgim të dhënë nga gjykata me 07.07.2009 dhe ka pak kohë që ka dalë nga burgu. Megjithatë, policia ende nuk ka dhënë të dhëna lidhur me shkaqet dhe autorët e ngjarjes dhe për Flamur Kalvarin nuk është ngritur ndonjë akuzë lidhur me vrasjen e djeshme.


Të njohur të viktimës dhe të Flamur Kalvarit theksojnë se ata janë fqinj dhe pas plagosjes së Flamurit marrëdhëniet mes palëve janë normalizuar. Kjo pohohet dhe nga policia e cila e pranon se këtë fakt e ka përmendur dhe Flamur Kalvari gjatë marrjes në pyetje. Pistë tjetër ku po hetohet është dhe ajo e ndonjë konflikti të viktimës.
Kjo është vrasja e 12-të që nga fillimi i këtij viti në qarkun e Shkodrës, ku ka pasur 13 viktima.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›