E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta e pasigurt e Adrian Pacit

Ekspozita personale e artistit shqiptar në Muzeun e Artit Modern të Stambollit. Kuratori Paolo Colombi e ka ideuar si një prezantim që vë në dukje kërkim që vepra e Pacit bën në pasojat e ndryshimeve politike në Shqipëri po edhe në traditat dhe zakonet e vendit të tij

Adrian Paci që prej vitit 1997 jeton në Milano, Itali por krijon dhe ekspozon në vende të ndryshme të botës, është prezantuar së fundi në Stamboll. "Jetë e pasigurt" quhet ekspozita personale në Muzeun e Artit Modern të Stambollit e cila qëndron hapur deri më 22 gusht.


Kuratori Paolo Colombi e ka ideuar si një prezantim që vë në dukje karakteristikën kryesore të veprës së Pacit: kërkimi nëpërmjet artit që ai bën në pasojat e ndryshimeve politike në Shqipëri po në traditat dhe zakonet e vendit të tij.


Është përfshirë këtu krijimtaria e realizuar ndërmjet viteve 2000-2008. Titulli i referohet jetës së personave që ai ka portretizuar në secilën prej krijimeve në video, - një medium i preferuar mbi të tjerët - dhe damarit të hollë të mbijetesës së pasigurt, megjithëse i mbështetur nga forca e traditës.


Secila nga punët ndalet pjesërisht në jetën e Pacit si artist që përpiqet ta paraqesë këtë jetën e tij në periudha të ndryshme.


"A Real Game" (Lojë e vërtetë) e krijuar në vitin 2000 jep vajzën 4 vjeçare të Adrian Pacit teksa i tregon të atit një histori, duke futur papritur nocione të të rriturve, të tilla si "certifikatë lindjeje", "banka" dhe "Ambasada Italiane".


Te njëra nga punët e titulluar "In Vajtojca" (Vajtojca) të cilën e ka realizuar në vitin 2002 në vendlindjen e tij në Shkodër dhe prezantuar me sukses asokohe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ai inskenon përmortjen e tij.


Ka pajtuar me qira një vajtojcë profesioniste, një traditë e lashtë për Malësitë e kësaj bote ku është lindur dhe rritur artisti. Gruaja duhet ta vajtojë për së gjalli. Videoja mbyllet me një shtrëngim duarsh mes artistit dhe vajtojcës.


Te "Piktori" e vitit 2002, kemi një meditim për rolin e artistit në shoqëri gjatë periudhave të trazirave dhe mungesës së stabilitetit. Pas rënies së diktaturës një sërë kioskash mbanin emrin "piktor", çka u vu në re nëpër qytete të Shqipërisë.


Në këto kioska të vogla dhe ilegale, artistët prodhonin piktura, portrete nga fotografitë, por edhe targa makinash e dokumente false, si certifikata lindjeje, diploma universiteti, viza për jashtë dhe certifikata vdekjeje.


Videoja ndjek një nga protagonistët gjatë kësaj lëvizjeje të shkurtër artistike" dhe prej rrethanave politike.


"Klodi" të cilin Paci e xhiroi më 2005, e ka origjinën në një kohë dramatike dhe absurde, një tregim rrëfyer nga Klodi, një i mërguar shqiptar politik.


Historia e tij e cila rri si paralele e vet përvojave të Pacit si emigrant, tregon në hollësi peripecitë e kapërcimit të kufijve në kërkim të diçkaje e cila në fund bëhet pothuajse e paarritshme.


"PilgrIMAGE" (Pelegrinazh) e vitit 2005, ndërton një urë vizuale ndërmjet banorëve të Shkodrës dhe një ikone të shenjtë - Zoja e Këshillit të Mirë në Xhenaxano, Itali. Legjenda thotë se ikona u transportua në Itali në shek. XV nga engjëjt.


Videoja bashkon në mënyrë ideale qytetarët e Shkodrës me imazhin e shenjtë dhe, anasjelltas, ikona me pasuesit e saj përmes projektimit të njëkohshëm të një grupi besimtarësh shqiptarë në kishën e Xhenaxanos.


"Askush nuk është më romantik" rrëfen historinë e një shqiptari që punon si artist në Nju Jork. Nëpërmjet syve të piktorit, ne mësojmë për idenë e tij mbi lirinë në SHBA dhe për dëshirën e tij të fortë për të krijuar.


Adrian Paci u lind në Shkodër më 1969. U largua nga Shqipëria gjatë trazirave të vitit 1997 dhe u vendos në Milano aty ku vazhdon të jetojë.


Ai mori formim klasik si piktor në Akademinë e Arteve në Tiranë, kurse në Milano nisi t'i shprehë përvojat e tij të reja me një tjetër medium, videon. Siç shihet edhe nga kjo ekspozitë e tij, e para personale në Muzeun e Artit Modern të Stambollit, është e gjitha një krijimtari dhjetëvjeçare në video. Paralelisht ai vazhdon t'i ruajë të forta lidhjet me pikturën dhe fotografinë.


Disa nga ekspozitat e tij janë: "In the Gorges of the Balkans" kuruar nga René Block në Kunsthalle Fridericianum, Kasel, Gjermani (2003); "Neë Video, Neë Europe" kuruar nga Hamza Ëalker në Tate Modern, Londër; në Bienalen e Seviljes, Spanjë, kuruar nga Harald Szeemann (2004). Në vitin 2005 ai prezantohet me ekspozitë personale në Moderna Museet në Stokholm dhe në Contemporary Arts Museum në Hjuston.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›