E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet një gazetar libanez në kufi me Sirinë

Një gazetar libanez është vrarë të hënën afër kufirit libanezo-sirian.Ali Shaban, një kamerman që punonte për kanalin televiziv Al-Jadeed raportohet të jetë qëlluar, teksa xhironte në zonën veriore Uadi Kaled në pjesën libaneze të kufirit.

Zyrtarët e sigurisë janë cituar të kenë thënë se të shtënat kanë ardhur nga pjesa siriane e kufirit.

Të hënën në mëngjes, dy sirianë dhe një përkthyes turk raportohet se janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri nga pjesa siriane e kufirit në një kamp refugjatësh në Turqinë jugore.

Incidentet vijnë, ndërsa marrëveshja e arritur për armëpushim pas 13 muajsh të gjakderdhjes në Siri, duket se po dështon.

Plani i propozuar nga i dërguari i OKB-së dhe i Ligës Arabe, Kofi Anan, parashikohej të hynte në fuqi më 10 prill.

Shpresat për një armëpushim, megjithatë u zbehën pasi që qeveria e Bashar al Asadit vendosi kushte të reja të cilat u refuzuan menjëherë nga grupet e kryengritësve.

Me planin për armëpushim forcat qeveritare duhet të largohen të martën nga qendrat e populluara.

Kjo lëvizje do të pasohej me një armëpushim 48 orësh nga të dy palët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›