E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperimenti hetimor, Nazimja e aftë të vrasë

Nazime Visha në Gjykate

E akuzuara për vrasjen e Fiqiri Muçës kryen qitje tek e tek dhe me breshëri.

Veprimi hetimor në poligonin ushtarak të Mulletit.

“Nazime Visha, 18-vjeçarja e arrestuar për vrasjen e Fiqiri Muçës në mesin e muajit gusht, është e aftë të përdorë normalisht armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se ka kryer krimin”. Ky ka qenë konkluzioni i eksperimentit hetimor të kryer nga Prokuroria e Tiranës me vajzën e akuzuar për ekzekutimin e përdhunuesit të saj tre muaj më parë. E shoqëruar me pranga në duar nga Burgu 313 ku mbahet në pritje të gjykimit, në prani të avokates, oficerëve gjyqësorë të Komisariatit Nr.1 dhe grupit hetimor të çështjes, Nazime Visha është dërguar në një poligon ushtarak në periferi të Tiranës. Asaj i është dhënë një numër prej 30 fishekësh, një karikator automatiku kallashnikov, si dhe arma. Nën mbikëqyrjen e grupit të hetimit, Policisë dhe avokates, Nazime Visha fillimisht ka mbushur karikatorin dhe më pas e ka vendosur në armë. E akuzuara më pas ka mbushur armën dhe krejtësisht e pavarur ka demonstruar çfarë dinte të bënte. Ajo fillimisht ka qëlluar tek e tek dhe më pas ka shtënë edhe me breshëri. Në fund, pasi ka qenë e qartë se 18-vjeçarja është e aftë plotësisht të përdorë armën me të cilën ka vrarë Fiqiri Muçën, grupi hetimor e ka dokumentuar këtë fakt, duke e pasqyruar me aktin përkatës në dosjen penale ndaj të akuzuarës për vrasjen e Fiqiri Muçës. “Qëllimi i eksperimentit ishte verifikimi i faktit nëse e akuzuara ka aftësinë dhe informacionin për të përdorur armën me të cilën është vrarë Fiqiri Muça në pothuajse të njëjtat kushte”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.
Vrasja e “dhunuesit”
Fiqiri Muça është vrarë më 13 gusht 2012 në mesnatë. Krimi ka ndodhur pranë banesës së gjyshërve të Nazime Vishës, në afërsi të xhamisë së fshatit Krrabë. Fiqiri Muça, i martuar dhe baba i pesë fëmijëve në Durrës, ka mbërritur në Tiranë me një taksi dhe më pas me të njëjtin mjet ka udhëtuar drejt Krrabës. Pasi ka mbërritur te shtëpia e gjyshërve të Nazime Vishës, ai është afruar te porta dhe ka thirrur Nazimen. Kjo e fundit i ka thënë se do të dilte ta takonte “sa të merrte diçka për të veshur”. Pesë minuta më vonë, Nazime Visha ka dalë në portën e oborrit me një armë në dorë. Ajo ka qëlluar fillimisht tek e tek në drejtim të Fiqiri Muçës, i cili është zmbrapsur dhe ka ecur rrugës kryesore duke tentuar të largohej. Pas 2-3 të shtënave nga brenda avllisë, Nazime Visha ka dalë në rrugë dhe e ka ndjekur Fiqiri Muçën duke vazhduar të qëllonte ndaj tij. Viktima ka kaluar nga rruga në një livadh aty pranë, ndërsa 18-vjeçarja e ka ndjekur derisa viktima është rrëzuar në një rrëpirë dhe besohet se është qëlluar edhe 3-4 herë me armë pasi kishte vdekur. Sipas autopsisë, vrasja ka ndodhur me shtatë plumba kallashnikovi. Ndërkohë në vendngjarje janë gjetur dhe administruar 29 gëzhoja të qitura nga arma e Nazime Vishës. Ajo ka qenë në shtëpi me gjyshen e saj dhe me një të afërm, por faktorët plotësues të qitjes me armë i janë gjetur vetëm asaj. Dëshmitar i skenës ka qenë taksisti që ka sjellë Fiqiri Muçën nga Durrësi. Nazime Visha e ka akuzuar Fiqiri Muçën për përdhunim që kur ishte 14 vjeçe.

Arma u gjet në pyll
Nazime Visha ka dëshmuar pas arrestimit se e kishte planifikuar vrasjen e Fiqiri Muçës. Ajo ka pohuar se armën e ka gjetur të fshehur në një tunel në zonën e Krrabës, kur ka qenë në mal me gjyshen. Më pas, gjyshja e cila kishte njohuri për armën që nga koha e zborit, e ka mësuar si ta përdorë. Prokuroria tha se këto fakte janë konfirmuar nga veprimet hetimore të kryera në terren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›