E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet studenti italian, pranga shqiptarit

Një shqiptar është vënë nën akuzë
nga policia italiane, si autor i
vrasjes së një studenti italian.
Mediat e vendit fqinj bënë të ditur se
21-vjeçari shqiptar është arrestuar duke
u gdhirë dita e djeshme në Trento të Italisë,
pasi akuzohet për vrasjen e një studenti.
Sipas të dhënave të policisë, Nebi
Smoqi është prangosur nga karabinierët,
pak orë pas ngjarjes, që kishte
ndodhur në një bibliotekë të Universitetit
në Trento. Dëshmitarët kanë
thënë se shqiptari është parë të diskutojë
ashpër me viktimën në bibliotekë.
E në këtë vend është gjetur dhe trupi i
29-vjeçarit të ekzekutuar me disa
goditje thike në trup. Media italiane
thotë se Smoqi jetonte prej dhjetë
vjetësh me familjen e tij në një fshat të
Trentos. Dyshimet e para janë se 21-
vjeçari nga Shqipëria mund ta ketë
vrarë studentin italian për motive të
dobëta. Por, gjithsesi kanë nisur hetimet
rreth kësaj çështjeje për të
zbardhur ngjarjen e rëndë, ku autor i
dyshuar është i riu shqiptar. Sipas
dëshmive, sherri mes italianit dhe shqiptarit
ka ndodhur te shkallët e bibliotekës,
dhjetë metra larg vendit ku u
gjet kufoma. Pas gjetjes së trupit të
studentit Lugi Del Percio, 29 vjeç, policia
ka ushtruar kontroll në të gjitha
ambientet. Kontroll është ushtruar
edhe në banesën e shqiptarit, ku në
lavatriçe janë gjetur një palë xhinse, të
mbuluara me gjak, që janë dërguar për
ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës.
Veç dëshmive dhe xhinseve me
gjak, policia ka kërkuar edhe prova të
tjera. Policia ka marrë në pyetje edhe
të dyshuarin shqiptar, i cili nuk ka mundur
të vërtetojë se ku ka qenë gjatë kohës
nga ora 13:30-15:00. Ndërkaq, policia
tha se studenti italian është vrarë
rreth orës 14:00. Në këto kushte, policia
ka vendosur arrestimin e tij dhe po
pret ekspertizën e gjakut të gjetur në
pantallonat e shqiptarit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›