E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia zbardh një vrasje pas 11 vjetësh, autori është në burg

Policia e Vlorës ka mundur të zbardhë
dje një nga ngjarjet që kanë bërë
bujë në qytetin e Vlorës në vitin
1997. Vrasja e ndodhur ndër të parat në
prill të 1997-ës, në afërsi të zonës së spitalit
rajonal të Vlorës, në lagjen "Partizani",
është zbardhur vetëm 11 vjet më vonë
nga Policia dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor
të Vlorës. Më 21 prill të 1997-ës, ka
mbetur i vrarë Ali Alizoti, lindur në
Delvinë e banues në Sarandë. Hetimi për
gjetjen e autorit të kësaj vrasjeje nisi më
1999, por u pushua për mungesë provash
në vitin 2002. Vetëm në vitin 2008,
prokuroria dhe policia mundën të rihapin
dosjen dhe të vijojnë hetimin. Pas një
sërë hetimesh, u mundësua identifikimi
i autorit të kësaj vrasjeje, që është 38-
vjeçari nga Tirana, Zamir Memi, i cili aktualisht
vuan dënimin për një tjetër vrasje
që ka kryer në Tiranë. Dje, Policia e Vlorës,
nëpërmjet zëdhënësit të saj, Saimir
Koçiaj, bëri të ditur se është bërë ekzekutimi
i vendimit të gjykatës që i jep Zamir
Memit arrest në burg për vrasjen e
ndodhur më 21 prill 1997 në Vlorë. Ky
dënim do t‘i shtohet masës së dënimit të
cilën Zamir Memi po e vuan aktualisht në
burgun e Vaqarit në Tiranë për një tjetër
vrasje. Policia ka mundur të gjejë provat
e mjaftueshme që përcaktojnë si të dyshuar
kryesor për këtë vrasje Zamir Memin,
në atë kohë 27 vjeç, ndërsa vrasjen e
ka kryer në bashkëpunim dhe vijon hetimi
për gjetjen e bashkëpunëtorëve.
Zamir Memi, i burgosur në Vaqar, tashmë
do të përgjigjet përpara drejtësisë edhe
për një tjetër vrasje, vepër penale kjo e
parashikuar në nenet 76 dhe 25 të Kodit
Penal. Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës
së Vlorës është bërë në burgun e Vaqarit,
ndërsa hetimet vijojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›