Denoncon në polici ish- të dashurin për hakmarrje
Një 18- vjeçare nga Berati do të hetohet për kallëzim të rremë. Denoncoi të dashurin se e kishte shfrytëzuar si prostitutë
BERAT- Nuk pranon dot ndarjen nga i dashuri dhe për tu hakmarrë e denoncon për shfrytëzim prostitucioni, por ka përfunduar vetë në listën e të hetuarve për kallëzim të rremë. Ngjarja jo e zakontë ka ndodhur kur një vajzë 18-vjeçare nga qyteti i Beratit e shoqëruar edhe nga prindërit e saj ka denoncuar në polici një djalë, ish- të dashurin e saj, duke e akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. Eglantina Keci, ka denoncuar 27-vjeçarin Agim Brushi, duke e akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dy vjet më parë në Greqi. Policia tha se menjëherë pas marrjes së këtij denoncimi ka nisur hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Një ditë më pas, policia ka kërkuar të rimarrë në pyetje vajzën për të pyetur më shumë rreth ngjarjes. Gjatë kohës që ekspertët e antitrafikut kanë kërkuar të mësojnë diçka më shumë rreth ngjarjes së dy viteve më parë ku sipas denoncimit vajza ishte shfrytëzuar në shtetin grek si prostitutë, 18- vjeçarja ka ndërruar krejtësisht dëshminë e saj. Vetëm një ditë më pas në prani dhe të prindërve të saj, të cilët do të pyeteshin rreth denoncimit të vajzës 18- vjeçarja mësohet të ketë pohuar se denoncimi i saj i parë kishte qenë krejtësisht i rremë. Ajo mësohet të ketë pohuar në prani të prindërve se denoncimin për 27 -vjeçarin Brushi e kishte bërë për inat, pasi ai kishte vendosur të bashkëjetonte me një tjetër vajzë. Ajo ishte ndarë pak muaj më parë dhe kur kishte mësuar se djali ishte lidhur me një vajzë tjetër, kishte planifikuar hakmarrjen. Policia tha se dëshminë e rreme të vajzës e kishin pohuar dhe prindërit e saj gjatë marrjes në pyetje në organin blu. Në këto kushte ekspertët e antitrafikut kanë përpiluar dosjen e cila mbërriti pranë organit të hetimit, ku Keci do të përballet me veprën penale të kallëzimit të rremë.