Vuçiç: Albin Kurti kërkon të na çojë në konflikt me NATO-n

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se politika që ndjek Albin Kurti synon ta fusë Serbinë në konflikt me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Sipas tij, Kurti po kërkon “arsye të mjaftueshme për marrëzitë që thotë” duke dashur ta tërheqë Serbinë në një konflikt me NATO-n.
Por, sipas Vuçiçit, Serbia duhet ta shmangë një përplasje të tillë.
“Ne e kuptojmë se ata e perceptojnë Kosovën si të pavarur dhe e injorojnë faktin që qytetarët e Serbisë e shohin Kosovën si pjesë të Republikës së Serbisë”, tha Vuçiç dhe shtoi se duhet kërkuar një zgjidhje kompromisi, edhe pse Kurti sipas tij, nuk dëshiron të kërkojë zgjidhje, por të dëbojë të gjithë serbët.
Duke komentuar akuzat e deputetes dhe kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alisha Kearns, për kontrabandën e armëve nga Serbia qendrore në Kosovë dhe pretendimet se agjentët e inteligjencës britanike po hedhin themelet për një luftë në Kosovë, Vuçiç tha se ai nuk mendon se Londra ka arsye për të krijuar një luftë në Ballkan.
Vuçiç tha se Perëndimi e nënvlerëson ushtrinë serbe, e cila tani është 12 herë më e fortë se 10 vjet më parë dhe se nuk është më aq e lehtë ta sulmosh Serbinë, veçanërisht nga ajri.
“Gjithçka që fluturon sot në Forcën Ajrore Serbe është e armatosur deri në dhëmbë, madje edhe njësitë e transportit”, tha Vuçiç.
I pyetur se çfarë do të thotë Serbia me këtë, Vuçiç tha se nuk i pëlqen të dërgojë mesazhe dhe se ushtria duhet të jetë pengesë për ata që do të sulmojnë Serbinë dhe sipas tij, kushdo që sulmon Serbinë do të paguajë një çmim shumë më të lartë se në vitin 1999. Ndërsa vuri në dukje se Serbia ka marrëdhënie korrekte dhe profesionale me NATO-n, transmetojnë mediat serbe.
Vuçiç ka theksuar se ka folur me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, për dhurimin e mjeteve ushtarake për Kosovën dhe ka theksuar se kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sepse Kosova s’duhet të ketë ushtri.
/rtsh.al/