Tensionet në veri, Rama: BE të veprojë për zbatimin e Marrëveshjes Themelore! Rajoni s’mund të bëhet peng i krizës Kosovës-Serbi

Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Bashkimit Europian që të veprojë për të siguruar një “zbatim të shpejtë” të Marrëveshjes Themelore mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Twitter, teksa shpërndan njoftimin e Emisarit të BE për dialogun, Miroslav Lajçak, për takimin me dy kryenegociatorët, Rama shkruan se rajoni s’mund të bëhet peng “i një krize të pafundme” mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, nuk mund të lejohet që Kosova Veriore të shndërrohet në një “Donbas të vogël” dhe as që dialogu të bëhet “një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër”.
“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendore është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël nga ngritja e nxitur nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër, nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, shkruan Rama.
Në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak zhvilloi të mërkurën (20 korrik) në Bruksel një takim me kryenegociatorët e të dy vendeve. Pas përfundimit të takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se draftet e Lajçak ishin të njëanshme dhe se u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë.
Vetë Lajçak reagoi me një postim në Twitter, ku shkroi se në takim u diskutua një listë e gjatë e çështjeve që lidhen me dialogun, duke filluar me zbatimin e marrëveshjes së arritur më 27 shkurt mes Kosovës dhe Serbisë dhe për depërshkallëzimin e situatës në veri. Ai shtoi se diskutime do të ketë edhe në vijim.
/rtsh.al/