E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vukçeviq: Ne ia dhamë dëshmitë Martyt

Nga Express më 08 shkurt 2011 në ora 13:49

Kryeprokurori i Serbisë për krime të luftës, Vladimir Vukçeviq e demanton raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty se raporti i tij nuk është mbështetur në të dhënat e Prokurorisë serbe.

Në një intervistë dhënë gatesë “Zëri”, Vukçeviq thotë se Dick Marty e ka falënderuar Prokurorinë e Serbisë për informacionet që ia ka dhënë për hartimin e raportit të tij kundër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Vukçeviq në intervistën e parë dhënë gjatë tre vjetëve të fundit për mediet shqiptare, thotë se nuk do të bëjë kompromis me asnjë grup kriminal, pavarësisht ndikimit të tyre politik apo ushtarak.

Ai shprehet i zemëruar me kërcënimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se do të publikojë listën e dëshmitarëve pas publikimit të raportit të Dick Marty.

Sipas Vukçeviqit, kërcënimi i Thaçit është jodemokratik dhe nuk duhet të ndodhë.

Numri një i Prokurorisë serbe për krime luftë flet edhe për raportet me prokurorët e EULEX-it, por thotë se nuk ka takim me prokurorë kosovarë. Ai po ashtu thotë se ka politikanë të Kosovës që janë në “listën e zezë” të Prokurorisë që drejton, për të cilët thotë se është e informuar Gjykata e Hagës.

Po ashtu Vukçeviq shprehet i pakompromis edhe në burgosjen e kriminelëve serbë që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Edhe pse kjo prokurori ka arritur t’i dënojë vetëm disa persona, ai shprehet i gatshëm që në burg t’i dërgojë të gjithë kriminelët që e kanë “etiketuar Serbinë”. Po ashtu Vukçeviq hedh poshtë mundësinë se procedura ndaj “Grupit të Gjilanit”, ka qenë e montuar politikisht.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›