E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vula e PD, zbardhet vendimi i Apelit: U cenua parimi i paanësisë, të riverifikohen të dhënat në regjistrin e partisë

Gjykata e Apelit ka zbardhur vendimin e 3 marsit, lidhur me “timonin” e Partisë Demokratike, drejtimi i së cilës u la në duart e Enkelejd Alibeajt.

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët; Elona Mihali, Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja; rrëzoi vendimin e gjyqtarit të Shkallës së Parë, Agron Zhukri i cili njohu Kuvendin e Rithemelimit, duke lënë në duart e Sali Berishës drejtimin dhe logon e PD-së dhe e riktheu çështjen për rigjykim në shkallën e parë me një trupë tjetër gjykuese.

Duhej të pranonte dorëheqjen

Në vendimin prej 90 faqesh të zbardhur këtë të mërkurë (10 maj), argumentohet se gjyqtari Agron Zhukri ka qenë i njëanshëm në gjykimin e çështjes, dhe se duhet të pranohej kërkesa e tij për të dhënë dorëheqjen.

“Gjykata e Apelit vlerëson se trupa gjykuese është gjendur në papajtueshmëri për të zhvilluar  gjykimin edhe sipas përcaktimeve të Kodit te Procedurës Civile, ndryshe nga sa parashtron në vendimin e tij kryetari i Gjykatës për refuzimin e kërkesës për dorëheqjen nga gjykimit të gjyqtarit, pasi rrethanat e parashtruara dhe vërtetuara me prova prej trupës gjykuese: Cenojnë parimin E paanësisë në aspektin objektiv dhe subjektiv të tij, duke u vlerësuar ky kusht procedural sipas kritereve të elaburuara të jurisprudencës si me sipër cituar (neni 467/b i K.P.C,), rrethanat e parashtruara kanë pasur mundësinë të krijojnë premisa objektive për arsye serioze njëanshmërie edhe sipas 87 kuptimit të nenit 72/6 te KP.C., vlerësuar kjo në unitet edhe me nenin 73 të KP.C. ku trupa gjykuese ka vlerësuar me ndërgjegje domosdoshmërinë e zëvendësimit të saj në gjykimin e çështjes me tjetër trup gjykuese.

Cenimi që ka pësuar parimi i paanësisë, si element i procesit të rregullt ligjor, pjesë e cilit është jo vetëm gjykimi që zhvillon gjyqtari, por edhe procedura e shqyrtimit nga kryetari i gjykatës së kërkesës së tij për dorëheqje nga gjykimi ashtu edhe procedura për shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit, ka sjellë pasojën juridike procedurale të pavlefshmërisë absolute të vendimit përfundimtar objekt ankimimi, të parashikuar në nenin 467/b te KP.C. Bazuar në nenin 467/b të KP.C. kjo shkelje procedurale ka sjellë prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë.

Së dyti, shkelje tjetër procedurale e konsumuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, edhe pse në vetvete nuk arrin të prodhojë pasoja pavlefshmërie absolute ndaj vendimit përfundimtar nr. 3, datë 25.03.2022 është revokimi i vendimit të ndërmjetëm për pezullimin e gjykimit pa ekzistuar ende kushtet ligjore për vazhdimin e gjykimit.

Pavarësisht argumentimit që Gjykata e Shkallës së Parë ka aplikuar në ndërmarrjen e vendimit të ndërmjetëm të pezullimit, Gjykata e Apelit vlerëson se kanë qenë kushtet ligjore për pezullimin e shqyrtimit të kërkesës për regjistrimin e ndryshimeve statutore të 11 Dhjetor 2021, derisa të gjykoheshin me vendim gjyqësor të formës se prere, vlefshmëria dhe ligjshmëria e ndryshimeve statutore të datës 17 Korrik 2021 për subjektin PDSH” thuhet në vendimin e Apelit.

Riverifikoni regjistrin e partive

Më tej Gjykata e Apelit në vendimin e saj thotë se Gjykata e Shkallës së Parë të mbajë në konsideratë faktin se ndodhemi para një gjykimi të një lloji të veçantë

“Edhe pse personi juridik që paraqitet para gjykatës është një i vetëm, PDSH, rezulton se përfaqësimin e saj e pretendon si kreytari i partisë ashtu dhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, i cili pretendon se njihet si përfaqësues i PDSH-së për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021.

Për shkak të kësaj specifike Gjykata e Shkallës së Parë në rigjykim duhet të njoftojë si Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit ashtu dhe Kryetarin e Partisë e të autorizuarit prej tyre, si dhe të ftojë ata të shprehen në lidhje me pozicionimin e tyre procedural. Më pas gjykata e Shkallës së parë duhet të disponojë në lidhje me to me vendim” thuhet në vendim.

Gjithashtu gjykata në rigjykim duhet të riverifikojë të dhënat e përditësuara për vijimin e përfaqësimit të PDSH nga kryetari i partisë i shënuar në regjistër.  

“Gjithashtu në rigjykim duhet të administrojë vërtetimin e përditësuar nga regjistri i partive politike për subjektin PDSH ku të verifikojë sërish të dhënat e përditësuara në lidhje me vijimin e përfaqësimit të PDSH nga kryetari i partisë, personin që rezulton i tillë i shënuar në regjistër si dhe ndryshimet e fundit statutore të regjistruara në të për këtë subjekt politik”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›