E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullkani “Inter” shkatërron Barçën

www.albania-sport.com - Interi u shndërrua në një vullkan të vërtetë, duke mposhtur 3-1 Barcelonë, kampionen në fuqi të Europës, e duke regjistruar një nga fitoret më të famshme në historinë e tij, ndërsa Pep Guardiola, trajneri i gjashtë trofeve, përjetoi një nga humbjet më të mëdha si menaxher i Barcelonës. Në një natë magjike në Milano. Barcelonës i duhet të fitojë minimalisht 2-0 në “Kamp Nou” për të shkuar në finalen e Madridit, ndërsa Interit edhe një humbje minimale 1-0.

Pas një dominimi të Barcelonës në kontrollin e lojës dhe një Inter paksa të hallakatur nga presioni katalanas, do të vinte dhe minuta e 19-të, minuta me e errët e takimit për zikaltërit. Maksuell mbërriti në fundoren e Interit, pasoi për Pedro Rodriguezin dhe “Golden Boy” i Barcelonës shënoi golin e vetëm të Barcelonës në sfidën kundër gjigantëve të Italisë.

Në minutën e 26-të, Interi duhej të barazonte. Snajder luan me delikatesë topin dhe me finesë e kaloi te Milito. Argjentinasi pati hapësirën e duhur, por goditja e tij diagonale nga rreth 13 metra kaloi ngjitur më shtyllën pingule, duke humbur një shans të artë skuadrës së tij.

Pas një loje të vakët e të “ngatërruar” të Interit dhe me dy raste të pastra të shpërdoruara nga zikaltërit, në minutën e e 29-të, Samuel Eto’o gjeti hapësirën e duhur në të djathtë, pasoi për te Diego Milito, ky i fundit me qetësi e kaloi te Uesli Snajder, holandezi me një prekje të ëmbël të topit barazoi duke entuziazmuar 80 mijë shikuesit në “San Siro” e “ringjallur” lojën.

Interi gjeti qetësinë e duhur, dhe tri minuta pas fillimi të pjesës së dytë, pas një rasti të shpërdoruar nga Pandev (asist i Snajderit), Dagllas Maikon, një prej më të mirëve në fushë shndërron në gol pasin e artë të Diego Militos, duke mposhtur Viktor Valdesin e duke e çuar Interin në avantazh, në një nga mbrëmjet më të errëta të Lionel Mesit. “San Siro” shpërthen si vullkan.

Pas ndërhyrjeve të ashpra të Karles Pujolit dhe Zherard Pikesë, të ndëshkuara më karton të verdhë (kapiteni Pujol do të mungojë në ndeshjen e kthimit), Interi shpiku golin e tij të tretë pas një kombinimi romantik: Maikon krosoi nga e djathta, Snajder dhe Milito janë që të dy të lirë në zonë. Snajder ul me kokë një top për Militon, që nga afër shënon po me kokë golin e tretë të zikaltërve, duke i çuar shifrat në 3-1 ndaj një Barcelone që nuk kishte pësuar asnjë humbje në transfertë gjatë këtij sezoni të Ligës së Kampioneve.

Është hera e parë që Barcelona që pëson tre gola në një ndeshje gjatë këtij viti dhe këtë ia shkaktoi Interi, që në “San Siro” regjistroi fitoren e gjashtë radhazi në Ligën e Kampioneve. Një meritë e lojtarëve me në krye kapitenin Havier Zaneti, por dhe në bankinë me strategun portugez, Hoze Murinjo. Barcelonës i duhet të fitojë minimalisht 2-0 në “Kamp Nou” për të shkaur në finalen e Madridit, ndërsa Interit edhe një humbje minimale 1-0.


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 20 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›