Wadephul: SPAK është duke bërë një punë të shkëlqyer

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në Tiranë, deklaroi sot se Gjermania do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke vënë theksin tek rëndësia e reformave.
“Unë jam këtu se dua të theksoj se qeveria federale përkushtohet përkundrejt procesit të mëtejshëm të integrimit. Unë personalisht e konsideroj Procesin e Berlinit si një detyrim për t’u përkushtuar për të ndihmuar procesin, në mënyrë që procesi të formësohet sa më konstruktiv. Është detyrë e vendeve kandidate krijimi i premisave për të mundësuar anëtarësimin”, tha ai.
“Në këtë drejtim me hapjen e grup-kapitujve është duke u punuar që këto premisa të krijohen, ne jemi të gatshëm për të mbështetur. Gjermania ka qenë e gatshme për të mbështetur Shqipërinë, por është detyra në fund fare e vendeve kandidate për të përmbushur kushtet. E këtu nuk jemi ende në atë moment”, tha ai.
Ministri gjerman vuri theksin tek realizimi i reformave sa i përket shtetit ligjor, lirisë së medieve dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Një sistem drejtësie i pavarur është me rëndësi qendrore”, tha Wadephul, i cili u shpreh se ka zhvilluar edhe një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani.
“Mendoj që një sistem drejtësie i pavarur është zemra e çdo shoqërie të lirë dhe demokratike dhe pikërisht fakti që nëse Shqipëria do të mund të arrijë sikundër dhe deri më tani progres të rëndësishëm në këtë drejtim ka dhe do të ketë vlerësimin tonë.
I pyetur lidhur me përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, Wadephul tha se, “SPAK-u në këndvështrimin tim është duke bërë një punë vërtetë mjaft të shkëlqyer dhe në këtë drejtim kam pasur mundësinë që të bindesha dhe njëherë përmes bisedës që zhvillova me drejtuesin e kësaj strukture, ku konstatova që kjo strukturë prokurorie merr një mbështetje mjaft të madhe përmes qeverisë”.
“Pavarësia e sistemit të drejtësisë, të këtyre institucioneve mendoj që wshtë ajo që e bën të besueshme dhe është mjaft e rëndësishme për rrugën drejt BE-së”. tha ai.
“Unë nuk kam dyshim që kjo jetohet në të njëjtën mënyrë dhe në Shqipëri dhe qeveria jep mbështetjen e saj lidhur me këtë”, u shpreh ministri.
/gj.m/a.f/r.e/