E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Wanted": Nazistët e fundit

Në shikimin e parë, fotot ngjasojnë me një galeri gjyshërish të lodhur, por ata janë 10 më të shumëkërkuarit për një nga krimet më makabre që bota ka parë ndonjëherë. Janë nazistët e fundit të mbetur gjallë dhe emri i koduar i "gjuetisë" së tyre është: "Operacioni, shansi i fundit". Ky emër në fakt tregon gjithçka. Pasi kanë kaluar më shumë se 60 vjet nga gjyqet e Nurembergut, Qendra "Simon Uizental" ka publikuar listën e të fundmëve nazistë-kriminelë lufte, ende në arrati. Beteja për t‘i nxjerrë ata para drejtësisë është e komplikuar nga një përzierje apatie politike, burokracish ligjore e aftësish thuajse mitike arratisjeje. "Ata janë të moshuar dhe tendenca natyrore është që pasi arrin një moshë të caktuar të bëhesh edhe simpatik. Por, kalimi i kohës, gjithsesi, nuk e zbeh fajësinë e tyre", thotë Efraim Zuroff, drejtor i qendrës "Uizental" me qendër në Jerusalem. Më i shumëkërkuari është Aribret Heim, aktualisht 93 vjeç. Të burgosurit hebrenj në kampin e përqendrimit "Mathausen", ndoshta e njohin me emrin "Doktor vdekja". Mjeku austriak u injektonte naftë dhe një numër helmesh të tjera direkt në zemër të ashtuquajturve pacientë, në mënyrë që të mund të shikonte se kush i vriste më parë. Mizoritë që rrëfehen nga të mbijetuarit janë rrëqethëse. Por sot, edhe pse "gjuetia" për të shumëkërkuarit vazhdon, sfida e vërtetë është që ata të nxirren para drejtësisë para se të vdesin. I vetëdijshëm se koha po mbaron, Zuroff do të lançojë një fushatë mediatike në Amerikën e Jugut këtë verë dhe për herë të parë fotoja do të shoqërohet edhe me një shpërblim prej rreth 500 mijë eurosh për arrestimin e Heimit. Ai është në fakt në arrati që nga 1962, kur pasi ishte martuar dhe punonte si gjinekolog në qytetin e Baden-Badenit në Gjermaninë perëndimore, nuhati se arrestimi i tij ishte i afërt. Provë se ai është ende gjallë, pas kaq shumë vitesh, mund të jetë një shumë prej 1 milion eurosh në një bankë në Berlin, që ndoshta do të ishte pretenduar nga ndonjë anëtar i familjes së tij nëse do të kish vdekur. Mendohet se doktori aktualisht gjendet në Kili, ku jetojnë vajzat e tij, apo në Argjentinë, një destinacion i preferuar i nazistëve të arratisur, mes të cilëve edhe arkitekti i Holokaustit, Adolf Eichman dhe një tjetër i pasionuar pas eksperimenteve mizore, Jozef Mengele. Ndërkohë, veç Heimit, është i panjohur edhe vendqëndrimi i nëntë të dyshuarve të tjerë. Për ata, Zurof ka një seri sinjalizimesh në mbarë botën, nga Klagenfurti në Austri e deri në Perth në Australi. Në këto raste, problemi më i madh është mungesa e vullnetit politik. Xhon Demjanjuk, emigrant ukrainas, u ekstradua nga SHBA në Izrael në 1986-ën dhe u dënua me vdekje për shkak se ai kishte qenë roje në kampin "Treblinka" dhe njihej si "Ivani i tmerrshëm". Por, gjykata supreme në Izrael hodhi poshtë vendimin dhe e liroi atë. Tani ai po përpiqet të kundërshtojë deportimin nga Amerika. "Disa vende nuk kanë kurajë të gjykojnë dhe dënojnë. Kriminelët e luftës nuk janë vrasës serialë. Ata nuk ka gjasa të vrasin sërish dhe qeveritë kryesisht e dinë se për disa vite ata do të vdesin", thotë Zurof. I tillë është rasti i Sandor Kepiro, numri 3 në listë. Tani ai është 93 vjeç dhe është mes zyrtarëve hungarezë që mendohet se kanë kryer masakrën treditore të më shumë se 1 mijë hebrenjve në brigjet e Danubit, në Serbi. Ai u dënua në 1944-ën, por u fal dhe u zhvendos në Austri. Në 1946-ën u dënua sërish në mungesë, dhe vendosi të arratisej, këtë radhë në Argjentinë. Gjysmë shekulli më vonë ai u kthye fshehurazi në vendin e tij, pasi mori garanci se nuk do të kryente dënimin. Por, kur u zbulua se jetonte në Budapest, në 2006-ën, pati një zemërim të madh publik. Asnjë vendim nuk është marrë ende për të. Hungaria është një nga nëntë vendet që nuk ka bashkëpunuar me qendrën "Uizental". Suedia është një tjetër e kritikuar për refuzimin e hetimeve të krimeve të kohës së nazizmit për shkak të një kufizimi që nuk lejon shtrirjen përtej 25 viteve për të gjitha aktet e vrasjes, përfshirë gjenocidin. Tjetër vend jo bashkëpunues është edhe Australia, e akuzuar se është shumë e ngadaltë në gjykimin dhe ekstradimin e nazistit numër shtatë në listë, Çarls Zentai. Ky i fundit, tani 86 vjeç, jeton në një periferi të Perthit dhe akuzohet se ka rrahur një 18-vjeçar të quajtur Peter Balazs, deri në vdekje, kur e kapi në një tramvaj në Budapest pa yllin e verdhë që e identifikonte atë si hebre. Ndërkohë, rasti i "Ekzekutorit të Bolzanos" ka qenë një triumf për gjahtarët e nazistëve. Mikael Seifert torturonte viktimat e tij në kampin e Italisë së Veriut, duke përdorur zjarrin, shishet e thyera dhe ujin e ftohtë. Pas luftës ai kishte shkuar në Kanada dhe punonte në një mulli në Vankuver, ku jetonte bashkë me familjen e tij. Në vitin 2000 ai u dënua në mungesë me burg të përjetshëm për vrasjen e të paktën 18 personave, por vetëm dy vjet më parë ai u arrestua nga policia kanadeze, me kërkesë të Italisë. Ai filloi një betejë të gjatë kundër ekstradimit, që përfundoi në dështim në muajin shkurt, kur në moshën 83-vjeçare u deportua në Romë, ku edhe po kryen dënimin e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›