Izraeli kujton 6 milionë hebrenjtë e vrarë në kampet naziste
Sirenat kanë rënë për dy minuta. Trafiku është ndalur. Janë mbyllur të gjitha aktivitetet. Izraeli kujton gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë nga nazistët në kampet e përqendrimit. Gjatë ditës së djeshme, në Parlament dhe në lokalitetet e tjera të vendit u lexuan emrat e viktimave të Holokaustit. Ceremonia e hapjes së ditës së Holokaustit është zhvilluar në monumentin e kujtesës, në Jad Vashem, në Jerusalem. Në përvjetorin e 63-të, Presidenti izraelit, Shimon Peres, ka thënë se Izraeli do të bëjë gjithçka që mundet me qëllim që të mos përsëritet një tjetër gjenocid hebraik. Ai foli për pasojat shkatërrimtare që do të kishte pasur bota nëse Hitleri do të kishte në dorë armët bërthamore, duke iu referuar kështu haptazi programit bërthamor të Iranit. Pas disa ditësh, Izraeli feston edhe 60-vjetorin e lindjes së shtetit hebre.