E Shtunë, 31 Tetor 2026

Webber dominon në Spanjë

Mark Webber fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Spanjës në Formula 1, me ekipin e Red Bullit, të dielën, pas nisjes nga pozita e parë startuese.

Webber arriti fitoren e parë këtë sezon dhe të tretën në përgjithësi duke lënë pas vetes Fernando Alonson në Ferrari dhe kolegun e tij Sebastian Vettel, i cili përfundoi i treti për shkak të problemeve më frena.

“Pozita e parë startuese ishte vendimtare. Gara e sotme ishte jashtëzakonisht e mirë. Unë kam mbajtur ritmin, duke pasur kujdes në goma”, tha Webber.

Lewis Hamilton ishte duke shkuar drejt asaj që dukej një pozitë e dytë e sigurt, por ngasësi i McLarenit pësoi një defekt në bolid dhe u tërhoq dy xhiro para fundit. Shtatë herë kampioni i botës, Michael Schumacher në Mercedes ishte i katërti që është rezultati i tij më i mirë pas rikthimit këtë sezon nga pensionimi trevjeçar.

Për herë të parë këtë sezon ai mposhti kolegun e tij, Nico Rosberg i cili ishte i 13-i. Felipe Massan në Ferrari përfundoi i gjashti para Adrian Sutilit nga Force India. Robert Kubica zuri pozitën e tetë në Renault, para Rubens Barrichellos (Williams) dhe Jaime Alguersuari (Toro-Rosso) të cilët morën pikët e fundit. Kampioni aktual i botës, Jenson Button në McLaren, ishte i pesti.

Ai mbetet lider në klasifikimin e përgjithshëm pas pesë garave me 70 pikë, tri më tepër se Alonso. Webber u ngrit në pozitën e katërt me 53 pikë, shtatë më pak se Vettel. Sezoni në Formula 1 vazhdon vikendin e ardhshëm, me garën për Shpërblimin e Madh të Monacos në Monte Carlo.

Rezultatet e garës:

1 Mark Webber 1:35:44.101
2 Fernando Alonso +00:24.065
3 Sebastian Vettel +00:51.338
4 Michael Schumacher +01:02.195
5 Jenson Button +01:03.728
6 Felipe Massa +01:05.767
7 Adrian Sutil +01:12.941
8 Robert Kubica +01:13.677

Renditja e përgjithshme:

1 Jenson Button 70 pikë
2 Fernando Alonso 67
3 Sebastian Vettel 60
4 Mark Webber 53
5 Nico Rosberg 50
6 Lewis Hamilton 49
7 Felipe Massa 49
8 Robert Kubica 44

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›